Qeveria gjermane ka mbështetur propozimet e një komisioni ekspertësh që rekomandon rritjen graduale të moshës ligjore të daljes në pension përtej 67 vjeç, duke e lidhur atë me rritjen e jetëgjatësisë së popullsisë.
Masa vjen në një kohë kur Gjermania po përballet me sfida të mëdha demografike dhe plakjen e popullsisë.
Sipas raportit të komisionit, mosha e pensionit, e cila aktualisht është 66 vjeç dhe pritet të arrijë në 67 vjeç deri në vitin 2031, duhet të përshtatet më pas me zhvillimet e jetëgjatësisë.
Bazuar në parashikimet aktuale demografike, mosha e pensionit mund të rritet me rreth gjashtë muaj gjatë periudhës 2031-2041, ndërsa në dekadat e ardhshme pritet të ketë shtyrje të mëtejshme.
Komisioni ka propozuar gjithashtu heqjen e mundësisë për pension të parakohshëm pa penalizime pas 45 viteve kontributesh, skemë që aktualisht lejon daljen në pension që në moshën 64-vjeçare.
Ekspertët sugjerojnë një reformë më të gjerë të sistemit të pensioneve, duke rekomanduar që ai të mos mbështetet vetëm te vitet e kontributeve.
Në të njëjtën kohë, ata kërkojnë lehtësimin e procedurave për personat që, pas vlerësimeve mjekësore, nuk janë më në gjendje të vazhdojnë punën dhe kanë nevojë për akses më të thjeshtë në pension.



