Rezultati i CDU-së në zgjedhjet rajonale në Mecklenburg-Vorpommern, ku partia e kancelarit gjerman Friedrich Merz nuk arriti të kalojë pragun elektoral prej 5 për qind dhe mbeti jashtë parlamentit të landit, është një sinjal i fortë për partitë tradicionale në Gjermani.
Kancelari Merz e cilësoi rezultatin si një “goditje të rëndë”, ndërsa deputeti Kolë Gjoka, në një intervistë për studion e lajmeve në MCN tv , e interpreton atë si pasojë të largimit të partive të vjetra nga shqetësimet konkrete të qytetarëve.
Ky rezultat ka qenë katastrofal për partitë e vjetra këtu në Gjermani dhe duhet të shërbejë si një mësim për të zhvilluar kontaktet dhe për t’iu afruar më shumë popullsisë, për të dëgjuar problemet që ata kanë. Mendoj se partitë e vjetra në Gjermani janë larguar shumë nga shqetësimet e popullit dhe e shohin popullin vetëm ditën kur ata vijnë për të votuar. Problemi është pikërisht largimi shumë i madh nga qytetarët dhe kjo duhet të jetë një pikë reflektimi për mënyrën se si do të zhvillohet edhe fushata zgjedhore.
Sipas tij, rezultati nuk duhet parë vetëm si një zhvillim lokal, por si një tregues më i gjerë i pakënaqësisë ndaj forcave tradicionale politike. Gjoka thekson se votuesit që dikur mbështesnin edhe partitë tradicionale po zhvendosen drejt forcave të ekstremit të djathtë, pasi këto të fundit po arrijnë të përfitojnë nga pakënaqësitë e qytetarëve.
Ky është një sinjal më i gjerë pakënaqësie sesa thjesht lokal. Edhe nga e majta jonë janë larguar votues dhe problematike është se ata kalojnë para hundës sonë dhe përfundojnë te e djathta. Ne nuk jemi në gjendje t’i bindim votuesit se kemi zgjidhje për hallet dhe problemet e tyre dhe, në shenjë proteste, ata votojnë krahun e djathtë, partitë e ekstremit të djathtë. Për mua ekstremi i djathtë është populist, por problemi ynë është që ne nuk po arrijmë t’u tregojmë qytetarëve se zgjidhjet që ofrohen prej tyre nuk janë ato që realisht zgjidhin problemet.
Gjoka e lidh këtë tendencë edhe me rritjen e forcave të djathta në një dimension më të gjerë, duke argumentuar se partitë tradicionale duhet të analizojnë përgjegjësitë e tyre dhe jo t’ia atribuojnë vetëm faktorëve të jashtëm këtë zhvillim.
Ky forcim është europian, botëror dhe amerikanët kanë qenë dhe janë prezentë në këtë fenomen, prandaj është e lehtë t’ia hedhësh fajin tjetrit, por faji është tek ne që nuk po jemi në gjendje t’i bindim votuesit se kemi zgjidhje. Flasim gjithmonë për reforma, por ato nuk po vihen në zbatim. Duhet të bëjmë një kthesë të fortë nëse duam të jemi akoma një forcë e madhe në Gjermani.
Një tjetër çështje që, sipas tij, po ndikon në pakënaqësinë e qytetarëve është rritja e kostos së jetesës. Gjoka argumenton se partitë e ekstremit të djathtë po arrijnë të kapitalizojnë shqetësimin për çmimet, ndërsa partitë tradicionale nuk po arrijnë t’i bindin qytetarët se kanë politika konkrete për këto probleme.
Problem mbetet rritja e çmimeve, për të cilat ekstremi i djathtë ka ofruar zgjidhje, por problemi është se ne nuk jemi në gjendje t’i bindim qytetarët se ekstremi i djathtë po i mashtron. Edhe në Berlin kemi parë raste ku njerëz me prejardhje emigrante kanë fituar mbështetje, sepse kanë ditur të komunikojnë me qytetarët dhe të flasin për problemet e tyre. Ne jemi larguar shumë nga masa dhe nuk po i marrim hallet e njerëzve aq seriozisht sa duhet.
Në fund, ai ngre pikëpyetje edhe mbi koalicionet mes forcave politike tradicionale, duke e lidhur këtë me përpjekjen për të frenuar avancimin e partive të ekstremit të djathtë.
Ka një problem edhe te fakti që CDU është në koalicion me të majtën. Të bësh një koalicion mes së majtës dhe së djathtës është një programacion që mbahet në këmbë vetëm që të mos vijnë në fuqi këto parti të ekstremit të djathtë. Por nëse partitë tradicionale duan të rikthejnë besimin e qytetarëve, duhet të merren seriozisht me problemet e tyre dhe të jenë më pranë njerëzve.



