Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia kanë nënshkruar një pakt të ri mbrojtjeje që parashikon operimin e një flote të përbashkët detare me misionin për të gjurmuar aktivitetet e nëndetëseve ruse në Atlantikun e Veriut. Marrëveshja synon të mbrojë kabllot nënujore dhe tubacionet kritike të energjisë, të cilat sipas zyrtarëve britanikë po përballen me një rrezik në rritje nga Moska.
Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar ka raportuar një rritje prej 30% të anijeve ruse të pikasura në ujërat britanike gjatë dy viteve të fundit. Pjesë e këtyre lëvizjeve është edhe anija e dyshuar spiune ruse Yantar, e akuzuar së fundmi se ka përdorur lazerë për të shqetësuar pilotët e RAF-it.
Sipas BBC, Rusia këmbëngul se Yantar është një anije kërkimore oqeanike, por vendet perëndimore dyshojnë se ajo harton kabllot nënujore dhe monitoron infrastrukturën kritike.
Si pjesë e paktit, Britania dhe Norvegjia do të operojnë së bashku fregatat britanike Type-26. Marrëveshja Lunna House – e emërtuar sipas bazës së rezistencës norvegjeze nga Lufta e Dytë Botërore, mbështetet nga një kontratë prej 10 miliardë paundësh për anije luftarake të përbashkëta.
BBC raporton se të paktën 13 anije kundër-nëndetëse, pesë prej të cilave norvegjeze, do të patrullojnë detet e Evropës veriore, duke monitoruar lëvizjet e flotës ruse në zonën midis Grenlandës, Islandës dhe Britanisë.
“Kjo marrëveshje do të thotë se dy vendet tona do të mbrojnë veten së bashku,” tha ministri norvegjez i Mbrojtjes Tore O. Sandvik.
Kabllot nënujore që transportojnë të dhënat, si dhe tubacionet e naftës dhe gazit që lidhin Britaninë me Norvegjinë dhe vendet e tjera të Detit të Veriut, konsiderohen nga ekspertët tejet të ndjeshme ndaj ndërhyrjeve ruse.
Anijet e reja do të përdorin torpedot britanike Sting Ray, ndërsa Marina Mbretërore britanike do të pajiset me raketat norvegjeze Naval Strike Missiles, të afta të godasin objektiva më shumë se 160 kilometra larg. Marinsat britanikë do të trajnohen gjithashtu në Norvegji për operacione luftarake në kushte të acarta.
Liderët britanikë paralajmërojnë se sulmet ndaj kabllove nënujore mund të shkaktojnë “ndërprerje katastrofike” për ekonominë, komunikimet dhe furnizimin energjetik të Britanisë. Tensionet e vazhdueshme pas pushtimit të Ukrainës kanë rritur edhe më shumë shqetësimet e NATO-s.
Sekretari i Mbrojtjes, John Healey, theksoi:
“Me rritjen e aktivitetit rus në Atlantikun e Veriut, fuqia jonë qëndron në aleanca të forta dhe kapacitet të përbashkët ushtarak.”



