Më 28 maj, zona të gjera të shkretëtirës së Saharasë në juglindje të Algjeria dhe në jugperëndim të Libisë u përfshinë nga fenomene atmosferike të rralla për rajonin, reshje intensive shiu dhe madje episode breshëri.
Zonat më të prekura raportohen të kenë qenë mes rajoneve të Tassili n’Ajjer dhe Tamanrasset, si dhe pranë qytetit të Ghat.
Sipas vëzhgimeve meteorologjike, fenomeni u shkaktua nga depërtimi i një mase ajrore shumë të lagësht që u ngjit nga zonat tropikale në jug drejt brendësisë së Saharasë.
Ky ajër i ngrohtë dhe i pasur me lagështi, në kontakt me temperaturat ekstreme dhe paqëndrueshmërinë atmosferike mbi shkretëtirë, krijoi kushte ideale për zhvillimin e stuhive konvektive.
Në shumë pjesë të kësaj zone të thatë, reshjet u shfaqën në formë shtrëngatash intensive, të shoqëruara me rrufe të dendura dhe erëra të forta.
Pamjet që qarkulluan në rrjetet sociale treguan sipërfaqe të mbuluara nga shtresa të bardha breshëri mbi dunat e rërës dhe rrjedha të përkohshme uji në lugina që zakonisht mbeten të thata gjatë gjithë vitit.
Në disa zona, reshjet krijuan përmbytje të shpejta lokale, duke vështirësuar lëvizjen në rrugët shkretinore dhe pistat tradicionale të udhëtimit.
Meteorologët shpjegojnë se, megjithëse Sahara konsiderohet një nga vendet më të thata në botë, gjatë periudhës së fundit të pranverës dhe fillimit të verës mund të ndodhin depërtime të lagështisë tropikale nga Saheli drejt veriut. Kur këto masa ajrore kombinohen me nxehtësinë ekstreme të sipërfaqes së shkretëtirës, ato mund të prodhojnë zhvillime të fuqishme stuhish.



