Rusia goditi Ukrainën me sulme me raketa dhe dronë gjatë natës së të shtunës dhe deri në mëngjesin e së dielës, duke u përqendruar në qytetin kryesor perëndimor të Lvivit.
Përballë kësaj situate fqinji i Ukrainës, Polonia, ngriti në ajër avionë luftarakë për të garantuar sigurinë e hapësirës ajrore polake, konfirmoi ushtria polake. Gjithashtu u vendosën avionë të NATO-s.
Kreu rajonal i Lvivit, Maksym Kozytskyi, tha se dy persona u vranë në sulmet në rajon dhe dy të tjerë u plagosën.
Rusia shënjestroi përsëri termocentralet e Ukrainës, ku njëri u godit gjatë natës në Zaporizhzhia, ku kryebashkiaku tha se një person vdiq dhe më shumë se 73.000 persona mbetën pa energji elektrike.
Sulmet ruse erdhën disa ditë pasi një zyrtar amerikan tha se SHBA-të do të mbështesnin Ukrainën për të nisur sulme të thella brenda territorit rus.
“Avionët polakë dhe aleatë po operojnë në hapësirën tonë ajrore, ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore tokësore dhe të zbulimit me radar janë sjellë në gjendjen më të lartë të gatishmërisë”, tha komanda operative e Polonisë në një postim në X.
Rusia ka shtuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
Kryebashkiaku i Lvivit, Andriy Sadovyi, tha se një pjesë e qytetit, 70 km nga kufiri me Poloninë nuk kishte energji elektrike, duke shtuar se sistemet e mbrojtjes ajrore të qytetit ishin të angazhuara fuqishëm në sprapsjen fillimisht të një droni dhe më pas të një sulmi me raketa ruse.



