Një analizë e konsorciumit World Weather Attribution (WWA) ka arritur në përfundimin se kriza klimatike e ka bërë shumë më të mundshme nxehtësinë ekstreme dhe thatësirën që nxitën zjarret shkatërruese në Spanjë dhe Francë.
Sipas studiuesve, kushtet e favorshme për përhapjen e zjarreve ishin të paktën 20 herë më të mundshme në Spanjë dhe dy herë më të mundshme në Francë për shkak të ngrohjes globale të shkaktuar nga djegia e lëndëve fosile.
Ekspertët theksojnë se temperaturat rekord, thatësira dhe erërat e forta krijuan kushte ideale për përhapjen e flakëve, ndërsa dimri dhe pranvera me reshje të shumta favorizuan rritjen e bimësisë, e cila më pas u tha dhe u kthye në lëndë djegëse për zjarret.
Që nga fillimi i korrikut, zjarret në Spanjë dhe Francë kanë shkaktuar viktima, kanë shkatërruar mijëra banesa dhe kanë detyruar mbi 300 mijë persona të largohen nga shtëpitë e tyre. Fenomene të ngjashme janë regjistruar edhe në Mbretërinë e Bashkuar dhe Greqi.
Shkencëtarët paralajmërojnë se, pa uljen e emetimeve të gazeve serrë dhe kalimin drejt burimeve të pastra të energjisë, ngjarje të tilla ekstreme do të bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më shkatërruese.



