Politologu Ruel Domi, në një lidhje të drejtpërdrejtë me edicionin e lajmeve në MCN TV, ka komentuar sulmet e ndodhura mëngjesin e kësaj të shtune nga Izraeli dhe SHBA-ja ndaj Iranit.
Gjatë analizës së tij, Domi u shpreh se situata aktuale nuk përbën një luftë të mirëfilltë, por një ndërhyrje të kufizuar me objektiva të qarta strategjike.
Sot iranianët janë të gëzuar për rrëzimin e një regjimi. Regjimi në Iran nuk do të rezistojë shumë. Çdolloj konflikti në SHBA, duke përfshirë edhe këtë të sotmin, nuk klasifikohet si luftë. Baza ka kërkuar prej kohësh që SHBA të mos përfshihet në të tilla sulme, pasi ka pakënaqësi në bazën MAGA me Trump.
Justifikimi i Trump ishte rinisja e armëve bërthamore të Iranit, si dhe fakti që ai ka vrarë ushtarë amerikanë në të gjithë rajonin apo ka mbështetur grupe terroriste. Pra, qartësisht është një forcë destabilizuese.
Sipas tij, regjimi aktual në Iran ka ushtruar represion për shumë vite ndaj popullit të vet, ndaj dhe reagimi i qytetarëve është pozitiv.
Ky është një regjim që u ka shtypur kokën për shumë vite. Populli iranian është i gëzuar për rrëzimin e regjimit. Mendoj se kjo do të përfundojë me sulme të përqendruara dhe nuk ka shanse që Amerika të tërhiqet në një luftë si ato të kaluarat, pasi ato kanë qenë destabilizuese.
Do të ketë një fushatë ajrore me goditje ndaj regjimit. Goditja e një lidershipi nënkupton goditjen e një regjimi, prandaj mendoj se regjimi në Iran nuk do të rezistojë gjatë.



