Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se takimi i tij me homologun amerikan Donald Trump ishte “shumë i dobishëm” dhe se ata kishin diskutuar kryesisht konfliktin në Ukrainë, por edhe “pothuajse të gjitha fushat” e bashkëpunimit dypalësh, raporton BBC.
“Dua të theksoj menjëherë se vizita ishte në kohën e duhur dhe shumë e dobishme”, tha Putin, sipas transkriptit të Kremlinit të deklaratës së tij hapëse, në takim.
“Ne folëm për pothuajse të gjitha fushat e bashkëveprimit, por para së gjithash, sigurisht, folëm për një zgjidhje të mundshme të krizës ukrainase në një bazë të drejtë”.
Ai ka vijuar duke thënë se “sigurisht, patëm mundësinë, të cilën e bëmë, të flisnim për gjenezën, për shkaqet e kësaj krize. Është eliminimi i këtyre shkaqeve rrënjësore që duhet të jetë baza për zgjidhjen”.
Presidenti rus ka shtuar se ishte një mundësi për të shprehur me detaje qëndrimin e Rusisë.
E përsëris edhe një herë: pati një mundësi për të shprehur me qetësi dhe në detaje qëndrimin tonë. Ne, sigurisht, e respektojmë qëndrimin e administratës amerikane, e cila sheh nevojën për një përfundim të shpejtë të veprimeve ushtarake.
Epo, edhe ne do ta donim këtë dhe do të donim të kalonim në zgjidhjen e të gjitha çështjeve me mjete paqësore.
Sipas tij, biseda me Trumpin ishte shumë e sinqertë, informuese dhe, “sipas mendimit tim, na afron më shumë me vendimet e duhura.”



