SHBA dëbon dhjetëra rusë drejt Moskës. Thirrje ushtarake në aeroport dhe presion nga FSB-ja

SHBA dëbon dhjetëra rusë drejt Moskës. Thirrje ushtarake në aeroport dhe presion nga FSB-ja

Rreth 60 shtetas rusë u dëbuan nga Shtetet e Bashkuara këtë javë, në një fluturim që mbërriti në Moskë më 9 dhjetor, ku shumë prej tyre morën menjëherë thirrje ushtarake dhe u ndaluan nga FSB-ja për orë të tëra, raportojnë aktivistët e të drejtave të njeriut.

 

Sipas Dmitry Valuev, president i organizatës Russian America for Democracy in Russia, burrat e dëbuar morën njoftime për paraqitje në qendrën ushtarake sapo zbritën në aeroportin Domodedovo, ndërsa të tjerë u morën në pyetje për qëndrimet politike dhe arsyet e largimit nga Rusia.

 

Fluturimi, që u nis nga Arizona dhe u ndal në Kajro, ishte i katërti i këtij lloji në gjashtë muajt e fundit. Aktivistët thonë se SHBA ka krijuar një itinerar të vetëm dëbimi përmes Egjiptit, duke pamundësuar që të dëbuarit të transferohen në vende të treta gjatë udhëtimit.

 

Sipas Euronews, një prej të dëbuarve ishte Daria, e cila kishte kërkuar azil me familjen e saj në vitin 2023, pas kundërshtimit të luftës në Ukrainë. Bashkëshorti i saj, Egor, se familja kishte hyrë ligjërisht në SHBA përmes takimit kufitar, por Daria u mbajt në qendrat e ICE për gati dy vjet përpara deportimit.

 

Sipas tij, djali i tyre tetëvjeçar u detyrua të qëndronte me familje pritëse në Meksikë për muaj të tërë. “Nuk e dinim se familjet mund të ndaheshin dhe nënshkruam dokumentet,” tha ai.

 

Daria, e cila ka shtetësi të dyfishtë ruso–ukrainase, u mor në pyetje nga FSB-ja menjëherë pas mbërritjes. Sipas Egorit, të gjithë burrat, madje edhe një 68-vjeçar, morën thirrje ushtarake “për sqarim të të dhënave”.

 

Në raste të mëparshme, disa të dëbuar janë arrestuar sapo kanë mbërritur në Rusi. Njëri prej tyre, Artyom Vovchenko, 26 vjeç, i cili kishte braktisur një post ushtarak, u ndalua menjëherë pas uljes në gusht.

 

Valuev thotë se listat e të dëbuarve u dërgohen paraprakisht autoriteteve ruse për verifikim, por nuk beson se SHBA dhe Rusia kanë marrëveshje për të garantuar trajtim të sigurt të tyre.

 

Administrata e presidentit Donald Trump po zbaton një fushatë të zgjeruar të dëbimeve, me rreth 200,000 persona të larguar nga SHBA deri në fund të gushtit të këtij viti. Ndërkohë, administrata Biden rifilloi në heshtje dëbimet drejt Rusisë në mars 2023.

 

Që nga tetori 2022, mbi 26,500 rusë kanë tentuar të kalojnë kufirin jugor të SHBA-së, një rritje e jashtëzakonshme krahasuar me 467 persona në vitin 2020.

 

Një situatë e veçantë juridike po zhvillohet në SHBA, ku Yana Leonova, 33 vjeç, e ekstraduar nga Franca për akuza të kontrabandës me pajisje aviacioni drejt Rusisë, rrezikon tani të dëbohet nga ICE përpara se të dalë në gjyq. Gjykatësi amerikan Zia M. Faruqui e quajti rastin “kafkian”, duke kritikuar autoritetet se “s’e kanë vendosur prioritetin: statistikat e dëbimit apo ndjekjen penale”.

 

Si Bjellorusia ashtu edhe Rusia nuk kanë marrëveshje ekstradimi me SHBA, duke e bërë të pamundur kthimin e Leonovës në rast dëbimi. Prokurorët kanë kërkuar leje të përkohshme qëndrimi për të, derisa të zhvillohet gjyqi.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy