Një alpinist nga Colorado u shpëtua në mënyrë dramatike në Parkun Kombëtar Arches të Utah-it pasi kaloi disa orë i ngecur në rërë të lëngshme në temperatura nën zero. Ekipet e shpëtimit arritën ta gjenin vetëm falë një droni që identifikoi vendndodhjen e tij në një kanion të izoluar.
Sipas People, Austin Dirks, 33 vjeç, ishte në ditën e dytë të një shtegtimi 20 miljesh kur u mbërthye në zonën Courthouse Wash. Fillimisht ai mendoi se po ecte në baltë të zakonshme, por terreni u tregua rrezikshëm i paqëndrueshëm.
Pasi kuptoi se nuk mund të lëvizte dhe po ndiente dhimbje të fortë në këmbë, ai thirri ndihmë. Rojtari i parë i parkut nuk arriti ta nxirrte, madje as me lopatë.
Grand County Search and Rescue përdori një dron për të gjetur saktësisht pozicionin e tij dhe e identifikoi Dirks-in të bllokuar deri në gju në rërë të lëngshme. Për të arritur deri tek ai, shpëtimtarët përdorën një shkallë dhe pajisje speciale të stabilizimit.
Pamjet e publikuara tregojnë ekipin duke gërmuar me kujdes për ta liruar, ndërsa temperaturat ishin rreth -6°C.
Dirks tregoi se këmbët i ishin mpirë plotësisht dhe ai mezi qëndronte në këmbë pasi u lirua. Shpëtimtarët e ndihmuan të ngrohej me batanije termike dhe ngrohëse para se ta shoqëronin jashtë kanionit dhe ta dërgonin në makinën e tij.
Ai falënderoi ekipet për përkushtimin: “Pa ta, mund të kisha mbetur aty deri në natë. Nuk do të më gjenin thjesht rastësisht.”
Komandanti i operacionit, John Marshall, paralajmëroi se rëra e lëngshme në kanione të tilla është shumë e rrezikshme:
“Sa më shumë të përpiqesh të shpëtosh vetë, aq më shumë të tërheq poshtë.”



