Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, akuzoi homologun e tij turk, Hakan Fidan, për “dehumanizim të popullit hebre dhe nxitje të gjenocidit”.
Saar postoi një video në X të enjten, me një përkthim në anglisht të një interviste që Ministri i Jashtëm turk dha për CNN Turk, në të cilën Fidan deklaronte se “Politika dhe mentaliteti i Izraelit janë bërë një barrë që njerëzimi nuk mund ta mbajë më”.
Sipas përkthimit, Fidani e përshkroi gjithashtu Izraelin si një nga problemet e përbashkëta të njerëzimit dhe bëri thirrje për presion ndërkombëtar kundër këtij vendi.
Në postimin e tij, Ministri i Jashtëm Izraelit i quajti deklaratat “të vjella” dhe tha se ato përbëjnë nxitje të qartë për gjenocid.
“Dehumanizimi i popullit hebre dhe portretizimi i tyre si një ‘barrë e padurueshme’ është gjuha klasike e tiranëve më të mëdhenj të historisë”, shkroi Saar.
Ai i bëri thirrje “botës së iluminuar” dhe aleatëve të Turqisë në NATO që ta dënojnë pa mëdyshje këtë thirrje të qartë për shkatërrimin e Izraelit.
Deklaratat e Fidan vijnë pasi Izraeli njohu zyrtarisht gjenocidin armen, një përcaktim që Turqia e ka mohuar historikisht. Qeveria turke e ka përshkruar njohjen nga Izraeli si një akt politik hakmarrjeje dhe një taktikë diversioni.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha se Izraeli po përpiqet të mbulojë krimet e veta dhe të njollosë Turqinë me shpifje, sipas agjencisë turke të lajmeve Anadolu.



