Për dekada me radhë, pacientët që i mbijetonin një ataku në zemër përballeshin me një rekomandim të qartë mjekësor: përdorimin afatgjatë, shpesh gjatë gjithë jetës, të beta-bllokuesve për të mbrojtur zemrën. Por kërkimet e fundit po sfidojnë këtë praktikë të konsoliduar.
Beta-bllokuesit, një klasë ilaçesh që ulin presionin e gjakut dhe ngadalësojnë rrahjet e zemrës, kanë qenë standard në trajtimin pas infarktit për më shumë se 40 vite. Megjithatë, studime të reja sugjerojnë se për disa pacientë, veçanërisht ata që janë të qëndrueshëm dhe pa komplikime, përdorimi i tyre përtej vitit të parë mund të mos sjellë përfitime shtesë.
Një studim i publikuar së fundmi në New England Journal of Medicine analizoi mbi 2,500 pacientë dhe arriti në përfundimin se ndërprerja e beta-bllokuesve pas një periudhe të qëndrueshme nuk rrit rrezikun për vdekje, atak të dytë në zemër apo shtrim në spital për pamjaftueshmëri kardiake.
Ekspertët theksojnë se përparimet moderne në trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare – si angioplastika, holluesit e gjakut dhe terapitë për kolesterolin kanë ndryshuar ndjeshëm mënyrën e menaxhimit të pacientëve, duke bërë që disa trajtime të vjetra të rishikohen.
Sipas kardiologëve, kjo qasje e re mund të përmirësojë cilësinë e jetës së pacientëve duke shmangur efektet anësore si lodhja apo marramendja, si dhe të ulë kostot afatgjata të trajtimit.
Megjithatë, mjekët paralajmërojnë se vendimi për ndërprerjen e beta-bllokuesve duhet të merret individualisht, në konsultim të ngushtë me specialistët dhe me monitorim të vazhdueshëm.



