Franca ka konfirmuar rastin e parë të Ebolës në territorin e saj, te një mjek që ishte kthyer së fundmi nga një mision humanitar në Republika Demokratike e Kongos, ku po përhapet një shpërthim i madh i virusit, shkruan BBC.
Autoritetet franceze bëjnë të ditur se pacienti është izoluar menjëherë në një strukturë të specializuar dhe ndodhet në gjendje të qëndrueshme.
Sipas Ministrisë franceze të Shëndetësisë, janë aktivizuar të gjitha masat e sigurisë, ndërsa ka nisur edhe procesi i gjurmimit të kontakteve të personit të infektuar. Personat që mund të kenë pasur kontakt me mjekun do të monitorohen për 21 ditë. Autoritetet theksojnë se rreziku për popullsinë e gjerë mbetet shumë i ulët.
RD e Kongos njoftoi një shpërthim të Ebolës muajin e kaluar, por ekspertët besojnë se virusi kishte qarkulluar për javë të tëra më parë.
Më shumë se 260 persona janë konfirmuar të kenë vdekur nga virusi në vendin e Afrikës Qendrore, ndërsa 1,000 persona janë infektuar.
Autoritetet franceze kanë ngritur një sistem të posaçëm monitorimi për punonjësit humanitarë që kthehen nga zonat e prekura, ndërsa ekspertët evropianë të shëndetit publik vlerësojnë se rreziku i përhapjes së virusit në Evropë mbetet i ulët.
Ky është rasti i parë i Ebolës që është konfirmuar në Evropë, megjithëse një mjek amerikan që rezultoi pozitiv në RD të Kongos u trajtua në një spital gjerman muajin e kaluar.
Fqinji i RD të Kongos, Uganda, ka konfirmuar gjithashtu raste të Ebolës. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se 20 persona dihet se janë infektuar atje dhe dy vdekje janë konfirmuar.
Në deklaratën e saj të mërkurën, ministria e shëndetësisë e Francës theksoi se rreziku për popullsinë ishte "shumë i ulët".
Ajo shtoi se autoritetet po punonin për të gjetur njerëzit që mund të kenë qenë në kontakt me mjekun.
Punonjësit e kujdesit shëndetësor janë veçanërisht në rrezik nga Ebola, e cila përhapet përmes lëngjeve trupore.
Shpërthimi aktual i Ebolës shkaktohet nga specia Bundibugyo e virusit, për të cilën aktualisht nuk ka vaksinë.



