Një firmë kërkimore e inteligjencës artificiale tha të mërkurën se agjentët e inteligjencës artificiale u përpoqën të fitonin akses në një faqe interneti të qeverisë kanadeze, duke e përshkruar veprimin si një përpjekje të dështuar hakerimi.
Nga ana e saj pala kanadeze tha se nuk kishte asnjë tregues se sistemet qeveritare ishin kompromentuar.
Firma kërkimore e inteligjencës artificiale Transluce tha se “Përpjekjet treguan taktika në përputhje me aktivitetin e mëparshëm të agjentëve që ia kemi atribuar OpenAI gjatë një periudhe të ngjashme kohore”.
Sipas një postimi nga Transluce, agjentët u përpoqën të fitonin akses në shërbimin e Bibliotekës dhe Arkivave të Kanadasë më 28 maj dhe 9 qershor. Kompania tha se njoftoi qeverinë kanadeze të hënën, më 28 shtator.
Qendra Kanadeze e Sigurisë Kibernetike tha të martën se ishte në dijeni të raporteve për aktivitet të dyshimtë nga agjentët e inteligjencës artificiale .
“Aktualisht nuk ka asnjë tregues se sistemet qeveritare janë kompromentuar”, tha ajo në një deklaratë.
OpenAI deklaroi se është në dijeni të raporteve se modelet e OpenAI u përpoqën të hynin në informacionin publik nga faqet e internetit të qeverisë kanadeze.
Një zëdhënës i kompanisë tha se OpenAI po shqyrton gjetjet që janë bërë publike dhe se tashmë u ka dhënë një informacion fillestar autoriteteve kanadeze që kryejnë hetimin qeveritar.
Transluce përsëriti se “Ne nuk ia atribuojmë me bindje këto përpjekje OpenAI-t”, duke vënë në dukje megjithatë se ato shfaqën taktika të ngjashme me ato të aktivitetit të mëparshëm që kishte lidhur me agjentë të kompanisë gjatë një periudhe të ngjashme kohore.
Transluce raportoi se shërbimi falas online arquivo.pt, arkivi kombëtar online i Portugalisë i operuar nga Fondacioni për Shkencë dhe Teknologji, regjistroi 899 kërkesa në shërbimin “kërkim koleksionesh” të Bibliotekës dhe Arkivave të Kanadasë.
Sipas kompanisë, kërkesat përfshinin një sërë përpjekjesh hakerimi në dukje të pasuksesshme dhe relativisht të thjeshta më 28 maj dhe 9 qershor.



