Qeveria japoneze ka vendosur të rrisë ndjeshëm tarifat e vizave për të gjithë shtetasit e huaj, duke shënuar ndryshimin e parë të çmimeve që nga viti 1978.
Nga 1 korriku, tarifa për një vizë me një hyrje do të rritet nga 3,000 jenë (rreth 19 dollarë) në 15,000 jenë, ndërsa viza me shumë hyrje do të kushtojë 30,000 jenë, nga 6,000 jenë që është aktualisht.
Ministri i Jashtëm japonez, Toshimitsu Motegi, deklaroi se rishikimi i tarifave është bërë për të pasqyruar inflacionin dhe luhatjet e kursit të këmbimit.
Ai shtoi se autoritetet nuk presin që masa të ketë ndikim të menjëhershëm në turizmin hyrës. Monedha japoneze, jeni, është dobësuar vazhdimisht që prej vitit 2021 dhe aktualisht ndodhet pranë niveleve më të ulëta të katër dekadave të fundit.



