Tetë murgj budistë u vranë dhe më shumë se 20 të tjerë u plagosën të enjten, kur një fëmijë i cili drejtonte kamionin e prindërve të tij u përplas me një turmë njerëzish të cilët po merrnin pjesë në një procesion fetar në verilindje të Tajlandës.
Tridhjetë e pesë murgj dhe pesë besimtarë po merrnin pjesë në një procesion në një rrugë në provincën Mukdahan si pjesë e një pelegrinazhi kur ndodhi incidenti, u tha gazetarëve shefi i policisë lokale Pairoz Tayfuca, duke specifikuar se i dyshuari është një fëmijë i moshës 11 vjeç.
“Automjeti u sekuestrua për t’u ekzaminuar nga ekspertë për të sqaruar shkaqet e aksidentit. Ne u kërkuam prindërve të fëmijës të paraqiteshin për të përcaktuar se kush ishte përgjegjës për mbikëqyrjen e tij në mënyrë që të fillonin procedurat ligjore.
Sipas policisë, djali kishte marrë automjetin e prindërve të tij pa lejen e tyre përpara se të humbiste kontrollin dhe të përplasej me murgjit.
Imazhet nga kamerat e sigurisë në një pronë fqinje tregojnë murgjit duke marshuar përgjatë rrugës dhe disa automjete që kalojnë pranë, të ndjekura nga një zhurmë e fortë përpara se procesioni të ndalet.
Pesë murgj humbën jetën në vend dhe tre të tjerë ndërruan jetë nga plagët e marra në spitalin ku u dërguan. Autoritetet shëndetësore thanë se katër murgj ishin në gjendje kritike në spitalin Mukdahan dhe se dhjetë të tjerë u plagosën rëndë, ndërsa të tjerë po merrnin trajtim për lëndime të lehta.



