Kim Jong-un është një nga liderët më të izoluar dhe më të fuqishëm në botë, por pavarësisht se ka kaluar më shumë se një dekadë në krye të Koresë së Veriut, ai nuk ka folur asnjëherë publikisht për nënën e tij, Ko Yong-hui. Edhe propaganda shtetërore shmang çdo referencë ndaj saj, një fakt që sipas analistëve nuk është aspak i rastësishëm.
Sipas BBC-së, heshtja lidhet me një nga shtyllat kryesore mbi të cilat mbështetet regjimi i Phenianit, miti i “linjës së gjakut Paektu”.
Për dekada me radhë, familja Kim është paraqitur si trashëgimtare e një prejardhjeje pothuajse të shenjtë, e lidhur me malin Paektu, simbol i rëndësishëm në historinë dhe mitologjinë koreane. Pikërisht kjo narrativë është përdorur për të justifikuar kalimin e pushtetit nga Kim Il-sung te Kim Jong-il dhe më pas te Kim Jong-un.
Megjithatë, historia e nënës së liderit aktual bie ndesh me këtë propagandë. Ko Yong-hui lindi në vitin 1952 në Osaka të Japonisë, në një familje koreanësh Zainichi, komunitet i përbërë nga koreanë që jetonin në Japoni që prej periudhës së pushtimit kolonial japonez.
Kur ishte rreth dhjetë vjeç, familja e saj u zhvendos në Korenë e Veriut në kuadër të një programi riatdhesimi, i cili solli në vend rreth 93 mijë koreanë nga Japonia mes viteve 1959 dhe 1984.
Megjithëse shumë prej tyre mbërritën me shpresa për një jetë më të mirë, realiteti rezultoi krejt ndryshe. Regjimi i konsideronte koreanët Zainichi si njerëz të ndikuar nga kultura dhe ideologjia e huaj.
Në sistemin e klasifikimit shoqëror “songbun”, ata nuk bënin pjesë në elitën politike dhe shpesh përballeshin me kufizime në arsim, punësim dhe emërime në poste të rëndësishme shtetërore.
Pikërisht kjo prejardhje konsiderohet arsyeja kryesore pse figura e Ko Yong-hui mbetet pothuajse e fshirë nga historia zyrtare e vendit.
Pavarësisht origjinës së saj, Ko Yong-hui arriti të bëhej pjesë e trupës artistike Mansudae, një nga grupet më prestigjioze artistike të Koresë së Veriut. Pikërisht aty ajo u njoh me Kim Jong-il, i cili u mahnit nga bukuria dhe aftësitë e saj si balerinë.
Edhe pse ai kishte një bashkëshorte zyrtare dhe marrëdhënie të tjera, lidhja me Ko Yong-hui u bë shumë e rëndësishme dhe çifti pati tre fëmijë, mes tyre edhe Kim Jong-un.
Megjithatë, marrëdhënia e tyre nuk u njoh kurrë zyrtarisht. Ko Yong-hui nuk u martua me Kim Jong-il dhe nuk u pranua asnjëherë publikisht si pjesë e familjes sunduese.
Sipas dëshmive të ish-zyrtarëve të regjimit, themeluesi i shtetit, Kim Il-sung, nuk u fotografua kurrë me të apo me fëmijët e saj, një detaj me rëndësi në një sistem ku çdo imazh familjar shfrytëzohet për propagandë.
Pas vdekjes së Kim Il-sung, ndikimi i Ko Yong-hui u rrit ndjeshëm. Ajo shoqëronte Kim Jong-il në vizita zyrtare dhe inspektime ushtarake, ndërsa ish-kuzhinieri personal i liderit ka pretenduar se Kim Jong-il konsultohej shpesh me të edhe për çështje të rëndësishme politike. Në vitin 2004 ajo ndërroi jetë nga kanceri i gjirit në një spital në Paris, por vdekja e saj nuk u raportua nga mediat shtetërore.
Rruga e Kim Jong-un drejt pushtetit nuk ishte e sigurt. Fillimisht si pasardhës shihej vëllai i tij i madh, Kim Jong-nam, por ai humbi besimin e të atit për shkak të stilit të tij të jetesës, ideve më liberale dhe qëndrimeve të ndryshme për të ardhmen e vendit.
Në vitin 2017, Jong-nam u vra në aeroportin e Kuala Lumpurit në Malajzi me agjentin nervor VX, në një ngjarje që tronditi opinionin ndërkombëtar. Edhe një tjetër vëlla u konsiderua i papërshtatshëm për të marrë pushtetin, duke i hapur rrugën Kim Jong-un.
Sipas analistëve, Ko Yong-hui punoi për vite me radhë që djali i saj të ishte zgjedhja e Kim Jong-il si trashëgimtar. Në fund, karakteri i tij konkurrues dhe aftësitë drejtuese bindën liderin e atëhershëm, i cili e përgatiti për të marrë drejtimin e vendit.
Në vitin 2011, pas vdekjes së Kim Jong-il, Kim Jong-un mori pushtetin në moshën vetëm 27-vjeçare.
Edhe sot, çështja e origjinës së nënës së tij mbetet një nga temat më të ndjeshme për regjimin. Analistët besojnë se edhe fakti që ditëlindja e Kim Jong-un nuk është shpallur festë kombëtare, ndryshe nga ato të babait dhe gjyshit të tij, lidhet me dëshirën për të mos nxitur diskutime mbi historinë e nënës së tij.
Në vitet e fundit, lideri koreano-verior është shfaqur shpesh në publik me bashkëshorten Ri Sol-ju dhe vajzën e tij Ju-ae, një veprim që shumë ekspertë e interpretojnë si përpjekje për të forcuar imazhin e një trashëgimie familjare të qëndrueshme dhe legjitime.
Sipas ish-diplomatit Ryu Hyun-woo, nëse qytetarët e Koresë së Veriut do të mësonin gjerësisht se nëna e Kim Jong-un ka lindur në Japoni dhe i përkiste komunitetit Zainichi, kjo do të përbënte një goditje serioze për propagandën shtetërore.
Sipas tij, një zbulim i tillë do të vinte në pikëpyetje jo vetëm legjitimitetin e liderit aktual, por edhe të gjithë sistemin e trashëguar të pushtetit mbi të cilin është ndërtuar regjimi për më shumë se shtatë dekada.



