Një person humbi jetën dhe pesë të tjerë mbetën të plagosur pas një sulmi me armë zjarri që ndodhi të dielën në një pikë karburanti në qendër të Izraelit.
Sipas policisë izraelite, ngjarja ndophi në një stacion karburanti në zonën e Kokhav Ya'ir, një lokalitet izraelit pranë Bregut Perëndimor të pushtuar.
Pas marrjes së njoftimit për të shtënat, në vendngjarje u angazhuan forca të shumta policore.
Gjatë operacionit të kërkimit, policia lokalizoi automjetin që dyshohej se ishte përdorur në sulm dhe njoftoi se autori i dyshuar u neutralizua.
Autoritetet nuk kanë sqaruar ende nëse ai u vra apo u arrestua. Shërbimi izraelit i emergjencave, konfirmoi se një burrë rreth 30 vjeç humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.
Një tjetër person u dërgua në spital në gjendje të rëndë, ndërsa katër të plagosurit e tjerë po marrin trajtim mjekësor. Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.



