Qyteti i tretë më i madh i Ukrainës, Odesa, pritet të marrë këtë javë një vendim historik dhe tejet të diskutueshëm: ndalimin e plotë të gjuhës ruse në fushën e arteve dhe në të gjitha hapësirat publike.
Propozimi, i cili po shqyrtohet nga këshilltarët lokalë në qytetin bregdetar të Detit të Zi, synon të ashpërsojë ligjet ekzistuese kombëtare për "dekolonizimin" e vendit nga trashëgimia ruse. Ky hap ka zgjuar debate të ashpra, pasi Odesa është historikisht një qytet me shumicë dërrmuese rusishtfolëse.
Ndonëse ndalimi i ri do të prekte vetëm mjediset publike (rrugë, parqe, biblioteka, teatro dhe institucione shtetërore) dhe jo përdorimin privat të gjuhës, ai synon të fshijë përmbajtjen ruse nga muzika, letërsia dhe shfaqjet artistike.
Përkrahësit e këtij plani argumentojnë se gjuha po përdoret nga Kremlini si një mjet influence. Nga ana tjetër, komuniteti i artistëve është i ndarë. Aktori i njohur komik Borys Barsky, teatri i të cilit është gjobitur më parë për përdorimin e rusishtes në reklama, e quan këtë vendim absurd.
Çështja mbetet tejet delikate, pasi Presidenti rus Vladimir Putin e ka përdorur shpesh pretendimin e rremë për "shtypjen e pakicës rusishtfolëse" si justifikim për pushtimin e Ukrainës në vitin 2022.
Për miliona ukrainas, përfshirë edhe shumë ushtarë në vijën e frontit, rusishtja mbetet gjuha e parë. Madje, ajo është edhe gjuha amtare e vetë Presidentit Volodymyr Zelensky, ndonëse që nga fillimi i luftës ai flet ekskluzivisht ukrainisht në publik.
Aktualisht nuk është e qartë nëse plani do të marrë votat e mjaftueshme, pasi ai po kundërshtohet nga një grup këshilltarësh me ndikim në Odesa, të lidhur me ish-kryebashkiakun Hennadiy Trukhanov.



