Qeveria britanike ka nisur publikimin e një serie të re dokumentesh që lidhen me emërimin e Peter Mandelson si ambasador në Shtetet e Bashkuara, në një kohë kur vijojnë polemikat për lidhjet e tij me Jeffrey Epstein.
Dokumentet përfshijnë email-e, mesazhe dhe komunikime në WhatsApp mes zyrtarëve qeveritarë, ministrave dhe këshilltarëve, si dhe korrespondencë të drejtpërdrejtë me Mandelson.
Publikimi vjen pasi dokumente të bëra publike në SHBA treguan se ai kishte mbajtur kontakte me Epstein edhe pas dënimit të këtij të fundit.
Qeveria e kryeministrit Keir Starmer ka premtuar transparencë të plotë për çështjen.
Mandelson u shkarkua nga posti i ambasadorit në Uashington në shtator të vitit të kaluar, ndërsa zbulime të mëtejshme nxitën nisjen e një hetimi policor.
Ai u arrestua në shkurt, por deri tani nuk është akuzuar për ndonjë vepër penale.
Përmes avokatëve të tij, Mandelson ka deklaruar se po bashkëpunon me autoritetet dhe më herët ka kërkuar falje pa kushte për lidhjen e tij me Epstein, si edhe u ka shprehur ndjesë grave dhe vajzave që kanë qenë viktima të abuzimeve.



