Agjencia italiane e mbrojtjes së të dhënave ka gjobitur kompaninë mëmë të Facebook-ut, Meta, me 805 milionë euro për akses në fotot e përdoruesve pa pëlqimin e tyre.
“Përmes aplikacionit Facebook për pajisjet Android, Meta aksesoi fotografi, video dhe të dhëna të tjera të lidhura me to që u përkisnin përdoruesve italianë pa marrë pëlqimin specifik dhe pa i informuar ata”, tha autoriteti në një deklaratë.
Meta njoftoi se do ta apelonte vendimin. Një zëdhënës i kompanisë tha se nuk pajtohen me vlerësimin nga rregullatorët si dhe nivelin joproporcional të gjobës.
Në fund të tetorit, autoritetet në New Mexico urdhëruan Meta-n të paguante 25 miliardë dollarë për mashtrimin e banorëve të shtetit për më shumë se një dekadë lidhur me përdorimin e të dhënave të tyre, një gjobë rekord për kompaninë, e cila e kritikoi si një “taksë” mbi lirinë e shprehjes.
Gjoba e fundit e së shtunës është ndër më të mëdhatë që një autoritet italian i ka vendosur një kompanie teknologjike.
Në vitin 2021, Amazon mori një gjobë prej më shumë se 1.1 miliardë eurosh për shkelje të ligjit të konkurrencës. Kjo shumë u reduktua më pas në 752 milionë euro në apel.
Gjoba italiane e vendosur ndaj Facebook-ut lidhet me funksionin e sugjerimeve të galerisë, i disponueshëm që nga viti 2023, i cili sugjeron foto dhe video nga galeria e telefonit të një përdoruesi si ide për postime ndërsa janë duke shfletuar.
Sipas rregullatorit të Italisë, Facebook kërkoi akses në galeri nëpërmjet një autorizimi të vetëm të vlefshëm për të gjithë aplikacionin, i paraprirë nga një njoftim i përgjithshëm që kërkonte aktivizimin e veçorive të tjera, gjë që nuk i lejonte përdoruesit të kuptonin se po autorizonin edhe sugjerime nga galeria e tyre.
Në përcaktimin e madhësisë së gjobës, autoriteti tha se mori në konsideratë numrin e lartë të personave të prekur, rreth 20 milionë përdorues të Android në Itali, dhe kohëzgjatjen e shkeljes, “E cila është ende duke vazhduar për ata që nuk e kanë përditësuar aplikacionin dhe për ata që tashmë kanë dhënë pëlqimin e tyre për sistemin”.
Autoriteti përmendi gjithashtu mungesën e bashkëpunimit të Metës gjatë hetimit.
