Presidenti amerikan Donald Trump përsëriti deklaratat e tij për rëndësinë strategjike të Groenlandës, duke thënë se ishulli është "shumë i rëndësishëm për SHBA-në, por jo për Danimarkën", një pretendim që bie ndesh me qëndrimin zyrtar të Kopenhagës.
Gjatë diskutimeve me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ky i fundit pranoi se i kupton frustrimet e Trumpit lidhur me kontributet e vendeve anëtare në aleancë, por theksoi se bëhet fjalë për raste të izoluara dhe se shumica e vendeve evropiane po japin kontributin e tyre.
Trump nuk i kurseu kritikat ndaj disa aleatëve, duke përmendur Mbretërinë e Bashkuar, për të cilën tha se "nuk na lejoi të përdornim ishullin për dy javë", si dhe Italinë, të cilën e cilësoi se "po ecën shumë keq".
Nga ana tjetër, Rutte vlerësoi ndikimin e Trumpit në rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes, duke deklaruar se ai "madje e bindi Spanjën të arrinte nivelin 2% të PBB-së për mbrojtjen".
Sa i përket Groenlandës, Rutte tha se të dy kishin rënë dakord gjatë takimit në Davos për të rritur praninë ushtarake amerikane në ishull dhe premtoi se kjo marrëveshje do të zbatohej gradualisht.
Deklarata e Ruttes i hapi rrugën Trumpit të përsëriste pretendimin e tij se Groenlanda është shumë më e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara sesa për Danimarkën. Më pas, presidenti amerikan kaloi në kritika të reja ndaj NATO-s, duke u shprehur se është "shumë i pakënaqur" me aleancën, ndërsa bëri edhe referenca ndaj Luftës së Dytë Botërore dhe pushtimit nazist të Danimarkës.
Takimi u mbyll me vlerësime të forta nga Rutte për Trumpin, të cilat bënë që presidenti amerikan të përgjigjej me komentin: "Ja pse më pëlqen."



