Një valë e fortë e të nxehtit, që ka përfshirë pjesën më të madhe të Evropës dhe ka sjellë temperatura rekord në disa vende, lidhet me 212 vdekje në Spanjë gjatë periudhës nga e diela deri të mërkurën. Kjo është bërë e ditur nga një vlerësim i publikuar nga një institut publik spanjoll, raportoi AFP.
Të dhënat bazohen në analizat e sistemit të monitorimit MoMo, i cili përmbledh statistikat ditore të vdekjeve në vend dhe vlerëson ndryshimet në vdekshmëri duke i krahasuar ato me nivelet e pritshme të bazuara në të dhënat historike.
Ndërkohë, vala e fundit e të nxehtit në Itali ka marrë pesë jetë njerëzish në më pak se 24 orë, teksa temperaturat kanë arritur deri në 41 gradë Celsius në pjesën më të madhe të vendit.
Ekspertët paralajmërojnë se temperaturat ekstreme paraqesin rrezik të lartë për shëndetin, veçanërisht për të moshuarit, punëtorët që punojnë në ambiente të hapura dhe personat me probleme shëndetësore.
Autoritetet në disa vende evropiane kanë lëshuar paralajmërime dhe po u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin e zgjatur në diell dhe të marrin masa mbrojtëse gjatë periudhës së vapës intensive.



