Deputeti iranian, Mahmoud Nabavian, ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj vendeve të rajonit, duke kërcënuar me pasoja të rënda në rast të një sulmi të ri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, ai deklaroi se zhvillimet e fundit rajonale tregojnë, sipas tij, “marrëzinë e re të regjimit amerikan”. Nabavian theksoi se një përshkallëzim i ri do të sillte një përgjigje të ashpër nga Irani.
Udhëheqësit e vendeve rajonale duhet ta dinë se këtë herë, përgjigjja shkatërruese e Iranit do të çojë në ndërprerjen e plotë të prodhimit rajonal të naftës, shkatërrimin e të gjithë infrastrukturës dhe zhvendosjen e popullsisë së tyre.
Nabavian konsiderohet një figurë e linjës së ashpër në politikën iraniane dhe ka qenë pjesë e delegacionit të Teheranit në raundin e parë të bisedimeve në Islamabad.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur të zgjasë armëpushimin me Iranin për një periudhë të pacaktuar. Megjithatë, Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi së fundmi se SHBA-të mbeten “të përgatitura dhe të pozicionuara” për të vepruar ndaj infrastrukturës iraniane nëse është e nevojshme.
Që nga nisja e konfliktit, Irani ka ndërmarrë sulme ndaj objektivave që ministri i Jashtëm, Abbas Araghchi, i ka cilësuar si “prani amerikane” në vendet e Gjirit.



