Qeveria kubaneze ka njoftuar se do të lirojë 2,010 të burgosur, në një nga vendimet më të mëdha të këtij lloji në vitet e fundit, ndërsa vendi përballet me një krizë të thelluar ekonomike dhe presion në rritje nga Shtetet e Bashkuara.
Sipas njoftimit të publikuar nga gazeta shtetërore Granma, vendimi për faljen bazohet në sjelljen e mirë të të dënuarve, gjendjen e tyre shëndetësore dhe natyrën e veprave penale. Në mesin e të liruarve përfshihen të rinj, gra, persona mbi 60 vjeç dhe shtetas të huaj.
Autoritetet theksuan se nga lista përjashtohen personat e dënuar për krime të rënda, si vrasje, përdhunime apo vepra kundër autoritetit shtetëror.
Ky vendim vjen në një moment delikat për ishullin komunist, i cili po përballet me mungesa të theksuara energjie dhe karburanti. Ndërprerjet e energjisë elektrike janë bërë më të shpeshta, ndërsa në muajt e fundit janë regjistruar edhe ndërprerje kombëtare që kanë prekur mbi 10 milionë banorë.
Kriza energjitike ka paralizuar pjesërisht jetën në vend: shkollat kanë pezulluar mësimin, punonjësit janë dërguar në shtëpi për të kursyer energji dhe disa fluturime janë anuluar për shkak të mungesës së karburantit.
Ndërkohë, marrëdhëniet me SHBA mbeten të tensionuara. Administrata e presidentit Donald Trump ka shtuar presionin ndaj Havanës, duke kufizuar furnizimet me naftë dhe duke kërkuar reforma politike dhe ekonomike.
Megjithëse njoftimi zyrtar nuk përmend drejtpërdrejt SHBA-në, autoritetet kubane e lidhin vendimin për lirimin e të burgosurve edhe me festimet fetare të Javës së Shenjtë dhe Pashkëve.
Kuba ka ndërmarrë edhe më parë lirime të ngjashme si pjesë e negociatave ndërkombëtare. Në fillim të vitit 2025, ajo liroi qindra të burgosur pas një marrëveshjeje me SHBA-në dhe Vatikanin, e cila më pas u pezullua.
Që prej revolucionit të vitit 1959 të udhëhequr nga Fidel Castro, Kuba mbetet nën një embargo të rreptë ekonomike nga SHBA, e cila vazhdon të ndikojë ndjeshëm në ekonominë e vendit.



