Qindra protestues u mblodhën të enjten pranë selisë së OKB-së në New York, në shenjë kundërshtimi ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili pritej të mbante fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme, sipas The Guardian.
Protestuesit bllokuan për më shumë se një orë rrugët përreth selisë së OKB-së, duke mbajtur pankarta me thirrje si “Financoni njerëzit, jo bombat” dhe “Lëreni Gazën të jetojë”. Organizatorët thanë se më shumë se 100 persona u arrestuan, ndërsa policia e New York-ut nuk kishte konfirmuar menjëherë shifrën.
Në protestë morën pjesë njujorkezë me prejardhje hebreje, palestineze, iraniane dhe libaneze, si dhe disa politikanë, kandidatë dhe figura të njohura publike. Mes të ndaluarve ishin aktorët Hannah Einbinder dhe Susan Sarandon, ish-analistja e inteligjencës amerikane Chelsea Manning dhe komediani Caleb Hearon.
Protestuesit kundërshtuan mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për Izraelin dhe kërkuan ndalimin e ndihmës ushtarake për Tel Avivin. Disa prej tyre akuzuan Izraelin për kryerjen e “gjenocidit” në Gaza, ndërsa kërkuan që Netanyahu të përballet me drejtësinë ndërkombëtare.



