Një rishikim i ri shkencor nga studiues australianë ka zbuluar se përdorimi i cigareve elektronike ka të ngjarë të lidhet me rritjen e rrezikut për kancer të mushkërive dhe atij oral.
Studimi, i udhëhequr nga Universiteti i Uellsit të Ri Jugor në Sydney dhe i publikuar në revistën Carcinogenesis, analizoi të dhëna nga kërkime laboratorike, studime në kafshë dhe raste njerëzore të viteve 2017–2025.
Sipas studiuesve, avullimi shkakton ndryshime biologjike si dëmtimi i ADN-së dhe inflamacioni, të cilat lidhen me zhvillimin e kancerit.
Edhe pse mungojnë të dhëna afatgjata për të përcaktuar saktësisht nivelin e rrezikut, ekspertët theksojnë se shenjat paralajmëruese janë të qarta.
Autorët e studimit u bëjnë thirrje rregullatorëve të ndërhyjnë menjëherë për të kufizuar përdorimin e cigareve elektronike, veçanërisht tek të rinjtë, duke paralajmëruar se vonesat mund të çojnë në pasoja serioze për shëndetin publik.



