Studiuesi Olsi Jazexhi në një lidhje me ‘MCN Live’ komentoi deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump dhe situatën e tensionuar në Lindjen e Mesme, me fokus te kanali i Hormuzit dhe negociatat Iran–SHBA.
Sipas Jazexhi, deklaratat e Trump mbi përfundimin e mundshëm të luftës janë të paqëndrueshme dhe shpesh kontradiktore, duke mos reflektuar domosdoshmërisht realitetin në terren.
Puna është se Trump është shumë kontradiktor dhe deklaratat e tij nuk reflektojnë medoemos realitetin. Një ditë thotë do sulmojmë, ditën tjetër thotë se kemi biseduar… këto janë më shumë për konsum të brendshëm dhe për rregullimin e tregjeve, sidomos për çmimin e naftës.
Ai shtoi se situata mes Iranit dhe Izraelit mbetet e paqartë pas zhvillimeve të fundit diplomatike, ndërsa palët kanë kërkesa të ndërlikuara për një marrëveshje të mundshme, përfshirë heqjen e sanksioneve dhe garanci mbi përfundimin e konfliktit.
Në analizën e tij, Jazexhi theksoi gjithashtu rolin strategjik të Kanalit të Hormuzit, duke deklaruar se kontrolli i tij mbetet një pikë kyçe tensioni mes palëve.
Kanali i Hormuzit kontrollohet nga Irani… amerikanët kanë dërguar luftanije në Detin Arab për presion. Deklaratat e Trump janë mjegull që krijon konfuzion.
Ai ngriti gjithashtu shqetësime për ndikimin politik të konfliktit, duke përmendur rolin e Benjamin Netanyahu dhe dinamikat e brendshme në Izrael dhe SHBA, duke pretenduar se ekuilibrat politikë ndikojnë drejtpërdrejt në mungesën e një armëpushimi të qëndrueshëm.
Sipas tij, negociatat mbi programin bërthamor iranian kanë përfshirë diskutime për kufizime të pasurimit të uraniumit, por ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare.
Gjërat nuk duken mirë për amerikanët në aspektin afatgjatë, por atë që kemi parë në 24 orët e fundit me insistimin e Iranit do ti jepet fund luftës në Libanin jugor.
Nga pala negociatore iraniane ata janë të gatshëm të kufizojnë programin e tyre nuklear madje ishin të gatshëm që dhe uraniumin ta ç’ pasurojnë dhe ta kenë gjendjen natyrale. Problemi qëndron te Izraeli sepse Netanjahu nëse nuk do paqe nuk do ketë.
Ai ka probleme të brendshme në Izrael, ne duhet të kuptojmë se i gjithë ky lëmsh i madh nga konflikti mes SHBA dhe Iranit ka nga mbrapa Benjamin Netanjahut dhe Trump nuk ka mundësi ta kontrollojë atë.
Pra amerikanët nuk e kontrollojnë dot Izraelin ky është problemi dhe për aq kohë sa kjo vazhdon nuk do të kemi dot armëpushim.



