Zvicra nuk do ta kufizojë popullsinë e saj në 10 milionë banorë. Zviceranët hodhën poshtë në kutitë e votimit një iniciativë popullore të krahut të djathtë për të kufizuar emigracionin duke vendosur një kufi maksimal të popullsisë në Kushtetutë.
Referendumi, “Jo një Zvicre prej 10 milionësh!”, u hodh poshtë nga shumica e kantoneve dhe nga 54.8% e votuesve në referendum , pas një fushate të nxehtë.
Teksti i vënë në votim bënte thirrje për kufizimin e popullsisë me banorë të përhershëm në mënyrë që ajo të mos i kalonte 10 milionë para vitit 2050.
Një fitore e ngushtë, kryesisht e nxitur nga kantonet e Zvicrës frëngjishtfolëse, të cilat votuan kundër saj, ndryshe nga disa zona që kufizohen me Gjermaninë.
Ticino votoi “pro”, megjithëse me një diferencë të ngushtë prej 50.7% të votave. Qeveria, e cila ashtu si shumica e partive e kishte kundërshtuar iniciativën, dha një psherëtimë lehtësimi.
“Zviceranët kanë dërguar një sinjal stabiliteti, hapjeje dhe besueshmërie”, komentoi Beat Jans, Ministër i Drejtësisë dhe Policisë.
Nga ana e humbësve, zhgënjimi është i madh. “Problemet aktuale do të mbeten dhe u bëj thirrje atyre që po festojnë tani t’i adresojnë ato”, tha presidenti i Partisë Popullore Zvicerane, Marcel Dettling, duke u kërkuar politikanëve të marrin në konsideratë pakicën e madhe që votoi po për tekstin.
Në fund të vitit 2025, në Zvicër jetonin pak më shumë se 9.1 milion njerëz. Që nga futja e lëvizjes së lirë të personave në vitin 2002, popullsia është rritur me afërsisht 1.7 milion, 80% e rritjes është për shkak të imigracionit, sipas të dhënave qeveritare.
Po të dielën zviceranët miratuan një ndryshim legjislativ që kufizon aksesin në shërbimin civil me qëllim rritjen e forcës së ushtrisë, me 52.5% të votave pro.



