Gjermania do të dërgojë 13 ushtarë në Groenlandë të enjten, si pjesë e një misioni zbulimi së bashku me vende të tjera evropiane. Lëvizja e Berlinit vjen pas kërkesave të vazhdueshme të Presidentit amerikan Donald Trump që Uashingtoni të ketë kontroll mbi ishullin.
Misioni, i cili zhvillohet me kërkesë të Danimarkës, do të zgjasë nga e enjtja deri të shtunën dhe synon të shqyrtojë kontribute të mundshme ushtarake për të forcuar sigurinë e rajonit, thuhet në një deklaratë të ministrisë së Mbrojtjes.
Përveç një misioni stërvitor të njësive në fokus do të jenë Marina dhe Forcat Ajrore. Pjesë e misionit mund të jetë mbikëqyrja detare.
Sipas informacioneve të Bild operacioni po koordinohet nga Kopenhageni dhe nuk do të përfshijë strukturat e NATO-s. Më herët të mërkurën, Suedia dhe Norvegjia njoftuan se do të dërgojnë personel ushtarak në ishull.



