Një grua franceze dhe një shtetase amerikane të evakuuara nga anija turistike MV Hondius kanë rezultuar pozitive me hantavirus, ndërsa autoritetet ndërkombëtare vazhdojnë operacionin kompleks të riatdhesimit të më shumë se 100 personave nga 23 vende të ndryshme.
Ministrja franceze e Shëndetësisë, Stéphanie Rist, konfirmoi se gruaja franceze ndodhet në gjendje të rëndë në një spital të specializuar në Paris. Sipas saj, pasagjerja nisi të shfaqte simptoma të forta gjatë mbrëmjes të së dielës, ndërsa analizat laboratorike konfirmuan infektimin me virusin.
Ndërkohë, autoritetet amerikane njoftuan se një pasagjer i evakuuar në Nebraska rezultoi pozitiv për variantin Andes të hantavirusit i vetmi lloj që mund të transmetohet nga njeriu te njeriu megjithëse aktualisht nuk paraqet simptoma. Një tjetër shtetas amerikan raportohet me simptoma të lehta.
Operacioni i evakuimit në Tenerife të Ishujve Kanarie vijon nën masa të rrepta sigurie biologjike. Personeli mjekësor dhe ushtarak, i pajisur me kostume mbrojtëse dhe maska speciale, ka shoqëruar pasagjerët nga anija drejt avionëve të riatdhesimit.
Deri tani, tre persona, një çift holandez dhe një grua gjermane kanë humbur jetën nga sëmundja e rrallë, e cila zakonisht transmetohet nga brejtësit. Nuk ekziston ende një vaksinë apo trajtim specifik për hantavirusin, i cili konsiderohet endemik në disa zona të Amerikës së Jugut, përfshirë Argjentinën, prej nga ishte nisur anija në muajin prill.
Megjithatë, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe autoritetet europiane kanë deklaruar se rreziku për përhapje globale mbetet i ulët, duke bërë thirrje për vigjilencë dhe shmangie të panikut.
Autoritetet shëndetësore në disa vende po ndjekin të gjithë personat që kanë qenë në kontakt me pasagjerët e MV Hondius, ndërsa OBSH rekomandon një periudhë karantine 42-ditore dhe monitorim të vazhdueshëm të simptomave.



