Kina ka njoftuar se ka kryer një testim të një rakete jo-bërthamore në Oqeanin Paqësor.
Më herët, vendet e rajonit kishin bërë të ditur se ishin paralajmëruar për një test të afërt të një rakete balistike ndërkontinentale.
Sipas një deklarate të Marinës kineze, një nëndetëse me energji bërthamore, e pajisur me raketa balistike, lëshoi me sukses një raketë strategjike me një kokë luftarake të simuluar në ujërat ndërkombëtare të Paqësorit.
Autoritetet kineze thanë se raketa ra me saktësi në zonën e paracaktuar detare, pa dhënë detaje të tjera mbi vendndodhjen.
Testi përkon me nisjen e stërvitjeve të përbashkëta vjetore detare mes Kinës dhe Rusisë pranë bregdetit të Qingdaos, një port i rëndësishëm ushtarak në lindje të Kinës.
Pekini theksoi se lëshimi ishte pjesë e stërvitjeve të zakonshme ushtarake dhe se vendet e interesuara ishin njoftuar paraprakisht, duke shtuar se raketa nuk ishte e drejtuar kundër asnjë shteti apo objektivi të caktuar.
Megjithatë, testimi ka shkaktuar reagime të forta në rajon. Ministrja e Jashtme e Australisë, deklaroi se Canberra e konsideron këtë veprim destabilizues për rajonin.
Edhe Japonia shprehu shqetësim të madh, duke bërë të ditur se kishte kërkuar nga Pekini të rishikonte planin për lëshimin e raketës, veçanërisht për të shmangur kalimin e trajektores mbi hapësirën ajrore japoneze. Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Zelandës së Re tha se Paqësori duhet të mbetet një “oqean paqeje” dhe e cilësoi testin e një arme me kapacitet bërthamor si të papajtueshëm me stabilitetin rajonal.



