
Kompania Meta është përfshirë në polemika pas publikimit të një audioje të rrjedhur nga një mbledhje e brendshme me punonjësit, ku CEO i saj, Mark Zuckerberg, flet për përdorimin e të dhënave të punonjësve për zhvillimin e inteligjencës artificiale (AI).
Në audio, Zuckerberg shpjegon se Meta po përdor mënyrën sesi punonjësit përdorin pajisjet dhe kompjuterët e kompanisë për të trajnuar modelet e AI-së.
Sipas tij, punonjësit e Meta-s janë më të aftë dhe më inteligjentë sesa kontraktorët që zakonisht përdoren nga kompani të tjera për këto procese.
Ai thotë se qëllimi është që inteligjenca artificiale të “mësojë” nga mënyra sesi punojnë njerëz shumë të aftë.
Zuckerberg pretendon gjithashtu se përmbajtja personale hiqet dhe se sistemi nuk përdoret për survejim apo kontroll performance ndaj stafit.
Megjithatë, ai pranon se kompania nuk ua ka shpjeguar qartë punonjësve këtë proces, pasi Meta nuk donte të zbulonte detaje të strategjisë së saj për AI-në përballë konkurrentëve.
Audioja ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku shumë persona kanë ngritur shqetësime për privatësinë e punonjësve dhe frikën se inteligjenca artificiale mund të zëvendësojë gradualisht vendet e punës.



