Sulmet Rusi- Ukrainë, Pumo: Ka sinjale reale për paqe, Putin po kërkon të dalë dinjitoz nga lufta (VIDEO)

Sulmet Rusi- Ukrainë, Pumo: Ka sinjale reale për paqe, Putin po kërkon të dalë dinjitoz nga lufta (VIDEO)

Sulmet në frontin Rusi–Ukrainë janë intensifikuar ditët e fundit, ndërsa zhvillimet në planin diplomatik po sinjalizojnë lëvizje të reja nga Shtetet e Bashkuara për të rifilluar një proces të mundshëm paqeje.

 

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, sipas deklarimeve të fundit, u ka bërë thirrje aleatëve perëndimorë për vendime më të forta dhe mbështetje më të qartë në përballjen me ofensivën ruse.

 

Në një analizë të zhvillimeve, gazetari në Rusi, Misha Pumo, dha një panoramë të gjerë për MCN Informacion mbi situatën ushtarake dhe diplomatike, duke theksuar se kontaktet mes aktorëve kryesorë ndërkombëtarë janë shtuar ndjeshëm.

 

Riaktivizimi i përpjekjeve për të arritur paqen po ndodh përmes emisarëve amerikanë. Witkoff dhe Kushner po marrin drejtimin e misionit në Moskë, pasi të kenë përfunduar angazhimet e tyre në Lindjen e Mesme.

 

Sipas tij, kontaktet mes Moskës dhe Uashingtonit janë intensifikuar kohët e fundit, përfshirë edhe komunikime në nivel të lartë politik.

 

Kohët e fundit, veçanërisht në dy javët e fundit, janë intensifikuar kontaktet mes presidentit rus dhe homologut të tij amerikan. Ka pasur edhe shkëmbime urimesh dhe një ton më i përzemërt në komunikim, sidomos nga pala ruse.

 

Megjithatë, Pumo theksoi se kjo nuk nënkupton ndryshim strategjik të aleancave.

 

Kjo nuk do të thotë se Rusia e konsideron SHBA-në aleate. Shtetet e Bashkuara mbeten një aktor aktiv në konflikt, përmes mbështetjes ndaj Ukrainës me inteligjencë, komunikime dhe sisteme satelitore.

 

Duke folur për situatën në terren, Pumo përshkroi një dinamikë të shpejtë ushtarake në rajonin e Donbasit, ku sipas tij po vazhdojnë lëvizjet e forcave ruse.

 

Në front situata po ndryshon me ritme të shpejta. Ka lëvizje dhe marrje territoresh në Donbas nga forcat ruse, ndërsa qytete të rëndësishme si Slovyansk dhe Kramatorsk mbeten në pikëpyetje nëse do të rezistojnë apo jo.

 

Ai shtoi se lufta ka sjellë pasoja të rënda për të dyja palët.

 

Të dyja ushtritë kanë humbje të mëdha dhe popullsia është e lodhur nga një luftë e gjatë që tashmë po i afrohet përmasave të konflikteve më të mëdha historike.

 

 

Sipas analizës së Pumos, SHBA po tenton të rifillojë iniciativat e paqes, përfshirë edhe kontaktet e drejtpërdrejta mes liderëve.

 

Ka një tentativë të hapur të administratës amerikane për të avancuar procesin e paqes. Presidenti Trump ka zhvilluar biseda me Zelenskyn dhe ka kontaktuar edhe Putinin, me synimin për të vijuar negociatat.

 

Ai shtoi gjithashtu se në diskutime janë përmendur edhe opsione lehtësimi ekonomik për Rusinë.

 

Nëse lufta përfundon, janë diskutuar edhe stimuj si lehtësimi i sanksioneve dhe përmirësimi i marrëdhënieve me SHBA-në.

 

Pumo përmbylli analizën e tij duke theksuar se, pavarësisht kontakteve dhe sinjaleve diplomatike, situata mbetet e paqartë dhe e brishtë.

 

Ka sinjale reale për dialog, por mbetet për t’u parë se çfarë do të arrihet konkretisht. Të dyja palët kanë qëndrime të forta dhe Rusia kërkon të dalë dinjitoze nga ky konflikt.

 

Në këtë fazë, zhvillimet mbeten të hapura si në frontin ushtarak, ashtu edhe në atë diplomatik, ndërsa përpjekjet për një zgjidhje politike po hyjnë në një fazë të re intensifikimi.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy