Pesë persona janë arrestuar në Gjermani, të dyshuar për përfshirje në një komplot për të përplasur një automjet me personat që do të gjendeshin në një treg Krishtlindjesh.
Tre marokenë, një egjiptian dhe një sirian u arrestuan të premten lidhur me planin për të synuar një treg në shtetin jugor bavarez. Autoritetet thanë se dyshonin për një “motiv islamist”.
Prokurorët thanë se egjiptiani 56-vjeçar, dyshohet se ka bërë thirrje për një sulm me automjet... me qëllim vrasjen ose plagosjen e sa më shumë njerëzve. Marokenët dyshohet se kanë rënë dakord ta kryejnë sulmin.
Zyrtarët në Gjermani kanë qenë në gatishmëri të lartë pas sulmeve të mëparshme në tregjet e Krishtlindjeve, përfshirë atë në Magdeburg dhjetorin e kaluar ku u vranë gjashtë persona.
Autoritetet nuk thanë se kur duhej të ndodhte sulmi i planifikuar ose cili treg ishte shënjestra, megjithëse dyshohet të ishte një në zonën Dingolfing-Landau, në verilindje të Mynihut.
Gazeta gjermane Bild raportoi se egjiptiani ishte imam në një xhami në zonë.
Policia tha se marokenët e moshës 30, 28 dhe 22 vjeç, u arrestuan të akuzuar për plan për të kryer vrasje, ndërsa burri sirian, një 37-vjeçar, u akuzua për inkurajimin e të dyshuarve në vendimin e tyre për të kryer krimin.
Pesë të dyshuarit u paraqitën para një gjyqtari të shtunën dhe mbeten në paraburgim.
Joachim Herrmann, ministri i Brendshëm i shtetit të Bavarisë, i tha gazetës Bild se bashkëpunimi i shkëlqyer midis shërbimeve të sigurisë kishte ndihmuar në parandalimin e një sulmi të motivuar nga islamistët.
Tregjet e Krishtlindjeve janë atraksione festive të njohura në të gjithë Gjermaninë, duke tërhequr shpesh turma të mëdha njerëzish.
Siguria në evente është rritur vitet e fundit, që nga një sulm në Berlin në vitin 2016, kur një burrë përplasi një kamion me një turmë njerëzish në treg, duke vrarë 12 persona.



