Rumania ka rrëzuar dy dronë brenda 48 orëve, pasi ata shkelën hapësirën ajrore të vendit pranë kufirit me Ukrainën.
Sipas Ministrisë rumune të Mbrojtjes, mëngjesin e së shtunës radarët zbuluan një tjetër hyrje të paautorizuar të një droni në hapësirën ajrore kombëtare.
Dy avionë luftarakë F-16 u ngritën menjëherë në fluturim dhe e rrëzuan dronin në një zonë të pabanuar pranë kufirit.
Një tjetër dron ishte rrëzuar edhe të premten, në një incident të ngjashëm.
Ministrja e Jashtme e Rumanisë, Oana Toiu, deklaroi se droni i rrëzuar të premten ishte i tipit Shahed, i njëjti model që, sipas saj, Rusia përdor pothuajse çdo natë në sulmet ndaj Ukrainës.
“Dy shkelje të hapësirës ajrore brenda 48 orëve nuk janë rastësi, por një model veprimi. Përgjigjja jonë do të jetë e qëndrueshme: zbulim, ndërhyrje, mbrojtje e qytetarëve tanë dhe transparencë e plotë me aleatët,” u shpreh Toiu.



