Ministri i Jashtëm i Gjermanisë deklaroi se Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë zhvilluar negociata indirekte dhe pritet të takohen së shpejti në Pakistan.
“Bazuar në informacionin tim, ka pasur kontakte indirekte dhe janë bërë përgatitje për t’u takuar drejtpërdrejt. Me sa duket, kjo do të ndodhë shumë shpejt në Pakistan”, tha Johann Wadephul për radion Deutschlandfunk, sipas raportimit të Reuters.
Ndërkohë kryeministri i Pakistanit , Shehbaz Sharif , tha të martën se vendi i tij është gati të “lehtësojë bisedime kuptimplote dhe përfundimtare” për t’i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme, mes përpjekjeve për ta paraqitur Islamabadin si një vend të mundshëm për negociata midis SHBA-së dhe Iranit.
Shtëpia e Bardhë konfirmoi se shefi i ushtrisë së Pakistanit, Asim Munir, pati një telefonatë me Donald Trump fundjavën e kaluar për të diskutuar konfliktin.
Katari, Turqia dhe Egjipti janë përmendur si vende të mundshme për bisedime, por thuhet se preferenca e Teheranit është Islamabadi.



