Një imazh mahnitës i “Mãhina”, një këlyshi ultra të rrallë balene të bardhë me gungë dhe nënës së tij, ka fituar çmimin e parë në World Nature Photography Awards 2026. Fotografia është realizuar nga fotografi australian Jono Allen në Vava’u, Tonga.
Allen e përshkroi momentin si “një takim që më ndryshoi jetën”, ndërsa për çmimin mori 1,000 dollarë shpërblim.
Albinizmi tek balenat me gungë është jashtëzakonisht i rrallë, vetëm një në 40,000 lindje – duke e bërë Mãhina-n një rast të veçantë.
Këlyshi u pa për herë të parë në verën e vitit 2024 dhe emri i tij do të thotë “hënë” në gjuhën tongane.
Sipas International Union for Conservation of Nature (IUCN), balena me gungë aktualisht klasifikohet si specie “më pak shqetësuese”, me popullatën globale që ka arritur rreth 135,000 individë falë ndalimit të gjuetisë komerciale.
Megjithatë, shkencëtarët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po ndikojnë në modelet e migrimit të saj, me zhvendosje më të hershme sezonale për shkak të ngrohjes së Oqeanit Jugor.
Në edicionin e sivjetshëm të konkursit morën pjesë fotografë nga 51 vende, ndërsa regjistrimet për vitin 2027 janë tashmë të hapura.



