29 vende nënshkruan të enjten marrëveshjen për themelimin e Organizatës Botërore të Bashkëpunimit për Inteligjencën Artificiale (IA), një organ ndërqeveritar që, sipas Kinës, synon të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe qeverisjen globale në fushën e inteligjencës artificiale.
Sipas Reuters, marrëveshja u firmos nga përfaqësues të 29 shteteve, mes tyre Rusia, Bjellorusia, Serbia, Kuba, Brazili dhe Venezuela, si dhe 10 vende afrikane dhe 12 vende aziatike, të cilat do të jenë anëtaret themeluese të organizatës.
Sipas agjencisë shtetërore kineze ‘Xinhua’, selia e organizatës do të vendoset në Shangai.
Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në Shangai, në prag të Konferencës Botërore të Inteligjencës Artificiale, ku presidenti kinez Xi Jinping pritet të paraqesë vizionin e Pekinit për një rol më të madh në qeverisjen globale të inteligjencës artificiale.
Kina propozoi krijimin e Organizatës Botërore të Bashkëpunimit për Inteligjencën Artificiale gjatë edicionit të kaluar të konferencës, por deri më tani asnjë shtet nuk kishte njoftuar zyrtarisht anëtarësimin si pjesë e nismës.



