Katër astronautë të evakuuar nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) janë rikthyer në Tokë, pasi qëndrimi i tyre në hapësirë u ndërpre një muaj më herët për shkak të një problemi serioz shëndetësor të njërit prej anëtarëve të ekuipazhit, njofton BBC.
Kapiteni i misionit, astronauti i NASA-s Mike Fincke, ishte i pari që doli nga kapsula kozmike.
Ai u shfaq duke buzëqeshur, por edhe duke u lëkundur lehtë në këmbë, përpara se të shtrihej në një kolltuk, sipas procedurave standarde pas kthimit nga mikrograviteti.
Pas tij, astronautja e NASA-s Zena Cardman, astronauti japonez Kimiya Yui dhe kozmonauti rus Oleg Platonov përshëndetën kamerat. “Është kaq mirë të jesh në shtëpi”, u shpreh Cardman.
Ky është rasti i parë që astronautët evakuohen nga ISS-ja për shkak të një problemi shëndetësor që prej vendosjes së stacionit në orbitë në vitin 1998. Ekuipazhi, i njohur si Crew-11, do t’i nënshtrohet tani kontrolleve të detajuara mjekësore pas uljes në brigjet e Kalifornisë.
Në një konferencë për shtyp, administratori i NASA-s, Jared Isaacman, tha se astronauti që kishte probleme shëndetësore është aktualisht “mirë” dhe në “gjendje të mirë shpirtërore”.
NASA nuk pritet të bëjë publike identitetin e tij apo detaje të tjera, për arsye privatësie.
Kontrolli i ISS-së i është dorëzuar kozmonautit rus Sergey Kud-Sverchkov dhe dy anëtarëve të tjerë të ekuipazhit.
Astronautët kishin mbërritur në stacion më 1 gusht dhe parashikohej të qëndronin për rreth gjashtë muaj e gjysmë, me kthim në mesin e shkurtit.
Javën e kaluar, një shëtitje hapësinore e planifikuar nga Fincke dhe Cardman u anulua në minutën e fundit dhe disa orë më vonë NASA konfirmoi se një anëtar i ekuipazhit ishte sëmurë.
“Është një ndjesi e përzier, e ëmbël dhe e hidhur”, tha Fincke gjatë ceremonisë së dorëzimit të komandës. Ai shtoi se të gjithë anëtarët e ekuipazhit ishin “të sigurt dhe në gjendje të qëndrueshme”.
Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor orbiton Tokën në një lartësi prej rreth 400 kilometrash, duke kryer 16 orbita në ditë me një shpejtësi prej afro 28 mijë kilometrash në orë.
Ai drejtohet nga pesë agjenci hapësinore dhe shërben si laborator kërkimor për studimin e hapësirës dhe efekteve të mikrogravitetit mbi organizmat e gjallë.
ISS-ja është e pajisur me mjete mjekësore bazë dhe astronautët janë të trajnuar për emergjenca të vogla shëndetësore, por nuk ka mjek të përhershëm në bord. Evakuimi i fundit u konsiderua një test i rëndësishëm për protokollet e NASA-s në raste emergjente.
Largimi i parakohshëm e lë përkohësisht ISS-në me vetëm tre astronautë, deri në mbërritjen e ekuipazhit të ri në shkurt.
Incidenti mbetet i paprecedentë në historinë 26-vjeçare të stacionit me ekuipazh të përhershëm dhe rikthen në vëmendje nevojën për prani mjekësore në misionet e ardhshme afatgjata drejt Hënës apo Marsit.



