Gjermania dhe Franca kanë vendosur të ndërpresin zhvillimin e përbashkët të avionit luftarak të gjeneratës së re, duke i dhënë fund një prej projekteve më ambicioze të mbrojtjes në Evropë, me vlerë rreth 100 miliardë euro.
Sipas zyrtarëve gjermanë, kancelari Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron diskutuan për fatin e projektit gjatë samitit BE–Ballkani Perëndimor në Mal të Zi dhe arritën në përfundimin se bllokimi mes kompanive kryesore të përfshira nuk mund të zgjidhej.
Merz i ka rekomanduar Macronit që projekti të mos vazhdojë më tej, pas muajsh mosmarrëveshjesh mes Airbus, që përfaqëson Gjermaninë dhe Spanjën, dhe kompanisë franceze Dassault Aviation.
Zyra e presidentit francez konfirmoi se të dy liderët kanë diskutuar gjerësisht për projektin dhe kanë shprehur keqardhje që kompanitë nuk arritën të gjenin një marrëveshje për të vijuar bashkëpunimin.
Vendimi vjen në një moment kur vendet perëndimore po përballen me sfida të reja të sigurisë dhe po shtojnë investimet në mbrojtje, ndërsa Rusia konsiderohet një kërcënim në rritje dhe Shtetet e Bashkuara po ushtrojnë presion ndaj aleatëve evropianë për të forcuar kapacitetet ushtarake.
Projekti, i nisur në vitin 2017 nga Emmanuel Macron dhe ish-kancelarja Angela Merkel, synonte krijimin e një sistemi të avancuar luftarak ajror, me avionë të gjeneratës së ardhshme, dronë mbështetës dhe një rrjet të integruar komunikimi të quajtur “combat cloud”.
Megjithatë, mosmarrëveshjet për kontrollin e programit, të drejtat e pronësisë intelektuale dhe specifikimet teknike të avionit bënë të pamundur arritjen e një kompromisi.
Burime evropiane bëjnë të ditur se disa komponentë të projektit, veçanërisht sistemet dixhitale dhe rrjetet e komunikimit ushtarak, mund të vazhdojnë të zhvillohen nën emrin FCAS (Future Combat Air System), si një mënyrë për të ruajtur një pjesë të bashkëpunimit franko-gjerman.
Analistët e mbrojtjes e konsiderojnë dështimin e projektit si një goditje për ambiciet evropiane në industrinë e mbrojtjes. Sipas tyre, ky zhvillim dërgon një sinjal jo pozitiv si për aleatët në Uashington, ashtu edhe për rivalët strategjikë si Moska.
Nga ana tjetër, sindikata gjermane IG Metall e mirëpriti vendimin, duke argumentuar se prej kohësh ishte e qartë se Airbus dhe Dassault nuk mund të bashkëpunonin në mënyrë të barabartë për realizimin e projektit.



