Ish-kryetarja e Gjykatës së Lartë të Nepalit, Sushila Karki, është zgjedhur si kandidate e aktivistëve të rinj për t'u bërë udhëheqëse e përkohshme, pasi KP Sharma Oli dha dorëheqjen, në një kohë që Nepali u përfshi nga protesta të dhunshme.
Nga përplasjet e dhunshme të protestuesve me policinë, të paktën 51 persona u vranë, mes tyre u dogj e gjallë edhe gruaja e ish-kryeministrit. Ndërkohë të premten në mbrëmje, ish-kryetarja e gjykatës, 73-vjeçarja Sushila Karki, u betua si udhëheqëse e përkohshme e qeverisë, e ngarkuar me rivendosjen e rendit dhe adresimin e kërkesave të protestuesve për një të ardhme pa korrupsion. Emërimi i Karkit, e cila njihet në Nepal për pavarësinë e saj, erdhi pas negociatave intensive nga shefi i ushtrisë, Gjenerali Ashok Raj Sigdel, dhe Presidenti Ram Chandra Paudel, përfshirë edhe me përfaqësuesit e "Gjeneratës Z", që organizuan protestat.
Më herët rebelët e Gjeneratës Z në Nepal përdorën ChatGPT për t'i ndihmuar ata të zgjidhnin se kush duhet të ishte kryeministri i përkohshëm i vendit, pasi protestat e dhunshme kundër korrupsionit rrëzuan qeverinë.
Kur chatbot-i u pyet për kandidatët e mundshëm për të udhëhequr një qeveri kalimtare përpara se të zgjidhej një kryeministër i ri, ChatGTP tha se do të “anonte drejt” Karkit – sepse ajo “duket se ajo mund të fitonte besim midis grupeve të ndryshme dhe mund të ndihmojë në mbikëqyrjen e reformave dhe në rrugën drejt zgjedhjeve të ndershme”.



