Kongresi i Perusë ka votuar për të shkarkuar Presidenten Dina Boluarte nga detyra, në një moment ndërsa një valë krimi ka përfshirë popullatwn e Amerikës së Jugut, njofton The Associated Press.
Vendimi erdhi pasi ligjvënësit miratuan katër kërkesa për nisjen e procedurës së shkarkimit, duke e akuzuar qeverinë e Boluarte për paaftësi në frenimin e kriminalitetit në rritje.
Secila nga kërkesat kaloi pragun minimal prej 56 votash, duke hapur rrugën për debatin dhe votimin përfundimtar në Kongresin me 130 anëtarë.
Pasi Boluarte nuk u paraqit për të mbrojtur veten para Kongresit, siç ishte kërkuar, ligjvënësit votuan për shkarkimin e saj pak pas mesnate, me 124 vota pro.
Ky zhvillim dramatik ndodhi vetëm disa orë pasi një person hapi zjarr në një koncert në kryeqytet, duke plagosur pesë persona dhe duke ndezur edhe më shumë zemërimin publik për situatën e rënduar të sigurisë.
Ndryshe nga përpjekjet e mëparshme për ta shkarkuar, kësaj here procedura gjeti mbështetje nga shumica e grupeve parlamentare.
Boluarte mori detyrën në dhjetor 2022, pas shkarkimit të paraardhësit të saj nga Parlamenti me të njëjtin mekanizëm. Qeveria e saj ka hasur vështirësi të mëdha në përballimin e rritjes së krimeve, veçanërisht të vrasjeve dhe rasteve të zhvatjes.
Gjatë një ceremonie ushtarake të mërkurën, Boluarte ia atribuoi një pjesë të përgjegjësisë për situatën emigracionit të paligjshëm.
“Ky krim është krijuar ndër vite dhe është forcuar nga emigracioni i paligjshëm, që qeveritë e kaluara nuk e kanë ndalur.
Në vend që të mbrojnë kufijtë tanë, i kanë hapur ata për kriminelët.”
Sipas të dhënave zyrtare, nga janari deri në mes të gushtit janë regjistruar 6,041 vrasje, shifra më e lartë për këtë periudhë që nga viti 2017. Ndërkohë, ankesat për zhvatje arritën në 15,989 raste nga janari deri në korrik, duke shënuar një rritje prej 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Kriza e fundit politike shpërtheu pasi një burrë hapi zjarr gjatë një koncerti të grupit popullor Agua Marina, duke plagosur pesë persona.
Kryeministri Eduardo Arana mbrojti presidenten gjatë një seance dëgjimore për çështjet e sigurisë, por fjalët e tij nuk mjaftuan për të ndalur procedurat e shkarkimit.
“Shqetësimet e Parlamentit nuk zgjidhen duke pranuar një kërkesë për shkarkim, aq më pak duke e miratuar atë,” tha Arana. “Ne nuk jemi të lidhur pas posteve tona. E dinim që dita jonë e parë mund të ishte edhe dita e fundit.”



