
Një ngjarje tragjike është regjistruar në Aeroportin Ndërkombëtar të Denverit, në SHBA, ku një avion i kompanisë Frontier Airlines përplasi për vdekje një person që kishte hyrë në mënyrë të paligjshme në pistë, raporton BBC.
Sipas autoriteteve, personi kishte kapërcyer gardhin rrethues të sigurisë vetëm dy minuta para incidentit. Momenti dramatik është regjistruar edhe në audion e kontrollit të trafikut ajror.
“Sapo goditëm dikë”, dëgjohet të thotë piloti i avionit drejt kullës së kontrollit, pasi ndërpreu ngritjen e fluturimit 4345. “Kemi zjarr në motor.”
Avioni Airbus A321 po përgatitej të nisej drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Los Anxhelosit rreth orës 23:00 me orën lokale, kur ndodhi përplasja.
Pas incidentit, në motor shpërtheu zjarr, ndërsa tymi u përhap edhe në kabinë. Zjarri u shua shpejt nga Departamenti i Zjarrfikësve të Denverit.
Të gjithë 224 pasagjerët në bord u evakuuan përmes rrëshqitëseve emergjente. Autoritetet raportuan se 12 pasagjerë pësuan lëndime të lehta, ndërsa pesë prej tyre u transportuan në spital për trajtim mjekësor.
“Jemi thellësisht të trishtuar nga kjo ngjarje”, deklaroi Frontier Airlines në reagimin zyrtar.
Aeroporti i Denverit bëri me dije se personi që hyri në pistë nuk besohet të ketë qenë punonjës i aeroportit. Sipas autoriteteve, gardhi i sigurisë është kontrolluar dhe rezulton i paprekur.
Pasagjerët u transportuan me autobusë drejt terminalit, ndërsa shumica prej tyre vijuan udhëtimin me një fluturim tjetër të Frontier Airlines.
Administrata Federale e Aviacionit dhe Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.



