Mbretëria e Bashkuar po përballet me një valë të fortë infeksionesh respiratore dhe gastrointestinale, teksa një grip i mutuar, i njohur si “supergripi” A(H3N2), po përhapet me shpejtësi, duke shkaktuar mbyllje shkollash dhe presion të jashtëzakonshëm mbi spitalet.
Sipas Daily Mail, dhjetëra shkolla në të gjithë Mbretërinë e Bshkuar kanë raportuar mungesa masive të nxënësve dhe stafit. Disa prej tyre janë detyruar të mbyllen për pastrim të thellë, ndërsa të tjera kanë kufizuar aktivitetet që rrisin rrezikun e përhapjes.
"St Martin’s School" në Caerphilly, Uells, është ndër më të goditurat, me mbi 250 nxënës dhe staf të sëmurë. Shkolla është mbyllur që nga e premtja dhe po kryhen pastrime intensive, ndërsa mësimi vazhdon online.
Simptomat më të shpeshta përfshijnë:
• të vjella
• diarre
• temperaturë të lartë
• kollë
• lodhje
• dhimbje koke
mesatarisht duke zgjatur rreth një javë.
Në Cheshire, "Congleton High School" u mbyll për tre ditë për të “thyer zinxhirin e infeksionit”, ndërsa në Leeds, "Wigton Moor Primary" ka ulur aktivitetet e këndimit për të frenuar përhapjen.
Drejtuesit e shkollave thonë se situata “të kujton ditët e Covid-it”, me mungesa që në disa raste kanë kaluar çdo rekord.
NHS po përballet me një rritje të paprecedentë të pacientëve me grip. Shtrimet në spitalet e Londrës janë trefishuar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa vendet e tjera raportojnë trend të njëjtë.
"University Hospitals of North Midlands" ka shpallur incident kritik, me pacientët të këshilluar të përdorin urgjencën vetëm për raste të rënda.
Shefi i NHS England, Jim Mackey, paralajmëroi se Britania mund të përballet me sezonin më të keq të gripit ndonjëherë, ngjashëm me situatën e Australisë këtë vit.
Virologët thonë se në qarkullim dominon një variant i mutuar i gripit A(H3N2), i quajtur “subclade K”, që po shkakton sëmundje më të rëndë dhe përhapje më të shpejtë, sidomos tek fëmijët 5–14 vjeç.
Në krahasim me vitin 2023, tani ka dhjetë herë më shumë pacientë me grip të shtruar në spitale.
Rreth 100 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit të kroçeres AIDA, në udhëtimin 133-ditor, janë goditur nga norovirusi pas ndalesave në SHBA. CDC konfirmoi se të sëmurët janë izoluar në kabinat e tyre.
Ekspertët dhe UKHSA nxisin përdorimin e maskave në ambiente të mbushura, duke thënë se ato ndihmojnë në kufizimin e përhapjes së viruseve respiratore. Disa spitale në Londër, "Oxfordshire" dhe "Shropshire" kanë rikthyer detyrimin për maska.



