Mbreti Çarls III fillon sot një turne nëntëditor në Karaibe, duke vizituar Bahamasin, Guajanën, si dhe Antigua-n dhe Barbudën, ku do të marrë pjesë në Samitin e Komonuelthit (CHOGM).
Vizita vjen mes një presioni në rritje nga liderët rajonalë që Britania të kërkojë falje zyrtare dhe të paguajë dëmshpërblime financiare për rolin e saj historik në tregtinë transatlantike të skllevërve.
Sekretarja e Përgjithshme e Komonuelthit, Shirley Botchwey, dhe organizata Caricom po insistojnë që çështja e dëmshpërblimeve të jetë në rendin e ditës, duke e cilësuar atë si një detyrim moral ndaj pasardhësve të skllevërve.
Pallati Buckingham konfirmoi se Mbreti nuk do të kërkojë falje gjatë këtij turneu, pasi kjo mbetet një vendimmarrje e qeverisë britanike. Nga ana e saj, qeveria e Mbretërisë Bashkuar, përmes Sekretarit të Biznesit Jonathan Reynolds, deklaroi se dëmshpërblimet nuk janë një "kërkesë e arsyeshme" dhe se brezat e sotëm nuk mund të mbajnë përgjegjësi për të kaluarën.
Britania ka transportuar rreth 3.2 milionë nga 12.5 milionë afrikanët e skllavëruar gjatë shekujve 15-19. Kur skllavëria u shfuqizua në vitin 1834, qeveria britanike dëmshpërbleu vetëm pronarët e skllevërve me një vlerë që sot barazohet me 17 miliardë paund, ndërsa skllevërit nuk morën asgjë.
Megjithëse Mbreti Çarls III ka shprehur më parë "pikëllim dhe keqardhje të thellë" për këtë periudhë të errët, ai vazhdon t'u përmbahet udhëzimeve ministrore duke shmangur një ndjesë zyrtare shtetërore.



