Një hetim ndërkombëtar ka zbuluar se rregullat e dobëta të transparencës në Bashkimin Evropian po i lejojnë kompanitë e duhanit të ndikojnë në mënyrë të padukshme procesin e politikëbërjes në Bruksel.
Raporti, i publikuar nga organizata STOP dhe grupi francez Contre-Feu, tregon se Komisioni Evropian ka zhvilluar takime të paregjistruara me përfaqësues të industrisë së duhanit, në kundërshtim me detyrimet ligjore të transparencës.
Sipas Euronews, Hetimi evidenton se DG TRADE ka mbajtur të paktën tetë takime të tilla në 2023–2024, asnjë i raportuar në Regjistrin e Transparencës së BE-së.
Transparenca kërkohet vetëm për zyrtarët e lartë, ndërsa stafi i niveleve të ulëta nuk detyrohet të raportojë takimet, një boshllëk që sipas vëzhguesve shfrytëzohet rregullisht nga industria.
Raporti vjen pas kritikave të Ombudsmanit Evropian, i cili paralajmëroi se Komisioni nuk ruan procesverbale dhe nuk vlerëson në mënyrë sistematike nëse takimet janë të “domosdoshme”.
Philip Morris International del si një nga aktorët kryesorë, duke përdorur email-e dhe takime për të ndikuar debatet mbi produktet e duhanit të ngrohur dhe politikat tregtare të BE-së. Kompania ka kundërshtuar masa të vendeve si Tajvani dhe Meksika, duke bërë ankesa zyrtare në Komision.
Komisioni insistoi se takimet me industrinë e duhanit “shmangen në maksimum” dhe se çdo kontakt dokumentohet siç duhet.
Sipas STOP dhe Contre-Feu, industria e duhanit shpenzon tani gati €14 milionë në vit për të ndikuar politikat e BE-së, me 49 organizata dhe mbi 130 lobistë aktivë në Bruksel.



