Bashkëpunimi midis Rusisë dhe Kinës në arenën shumëpalëshe luan një rol themelor në çështjet globale, ndërsa koordinimi strategjik dypalësh shërben si një forcë stabilizuese përballë sfidave dhe kërcënimeve që mbeten një fokus i vazhdueshëm i dialogut politik dypalësh.
Presidenti rus Vladimir Putin e bëri këtë deklaratë në një intervistë për Xinhua, në prag të vizitës së tij në Kinë për samitin e SCO-së në Tianjin dhe paradën ushtarake të 3 shtatorit në sheshin Tiananmen që shënon fundin e Luftës së Dytë Botërore.
Putin vlerësoi bashkëpunimin shumëpalësh të Rusisë dhe Kinës, duke riafirmuar se shkëmbimet midis dy vendeve mbi çështjet kritike ndërkombëtare kanë treguar se Moska dhe Pekini ndajnë interesa të gjera të përbashkëta dhe “pikëpamje çuditërisht të ngjashme mbi çështjet themelore”.
Koncepti i Rusisë për krijimin e një hapësire të përbashkët sigurie të barabartë dhe të pandashme në Euroazi është i lidhur ngushtë me Iniciativën Gjithëpërfshirëse të Sigurisë të propozuar nga Presidenti Kinez Xi Jinping.
Lideri rus deklaroi se bashkëpunimi i ngushtë midis Moskës dhe Pekinit ka ndikuar pozitivisht në punën e forumeve të mëdha ekonomike, përfshirë G20 dhe APEC.
Këtë vit, miqtë tanë të Afrikës së Jugut mbajnë presidencën e G20. Falë përpjekjeve të tyre, ne mezi presim të konsolidojmë arritjet e Jugut Global dhe t’i çimentojmë ato si themel për demokratizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Putin theksoi më pas se marrëdhëniet tregtare midis Rusisë dhe Kinës kanë arritur një nivel të paparë dhe që nga viti 2021, tregtia dypalëshe është rritur me rreth 100 miliardë dollarë, ndërsa për sa i përket vëllimit, Pekini është deri tani partneri më i madh i Rusisë, dhe në vitin 2024, Moska u rendit e pesta midis partnerëve të jashtëm tregtarë të Pekinit, me transaksione që tani pothuajse tërësisht kryhen në rubla dhe juan, në dëm të dollarit.



