Ekspertët shëndetësorë në Evropë po kërkojnë masa më të forta kundër konsumit të alkoolit dhe ushqimeve të pashëndetshme, duke propozuar rritje të ndjeshme të taksave mbi këto produkte për të ulur numrin e vdekjeve nga sëmundjet e mëlçisë.
Një komision ekspertësh nga Shoqata Evropiane për Studimin e Mëlçisë dhe revista mjekësore ‘The Lancet’ paralajmëron se sëmundjet e mëlçisë po krijojnë një “barrë në rritje dhe të paqëndrueshme” në Evropë, ku rreth 284,000 njerëz vdesin çdo vit nga këto sëmundje. Prej tyre, 215,000 vdekje lidhen me cirrozën e mëlçisë dhe 69,400 me kancerin e mëlçisë.
Ekspertët kërkojnë që qeveritë evropiane të rrisin taksat mbi alkoolin dhe ushqimet e pashëndetshme në mënyrë që të mbulojnë kostot që këto produkte i shkaktojnë sistemit shëndetësor dhe shoqërisë.
Ata gjithashtu propozojnë vendosjen e paralajmërimeve shëndetësore në të gjitha pijet alkoolike dhe ndalimin e reklamimit të alkoolit dhe ushqimeve të shpejta për personat nën 18 vjeç.
Raporti thekson se alkooli, dieta e varfër, obeziteti dhe hepatiti viral janë katër faktorët kryesorë të vdekjeve nga sëmundjet e mëlçisë. Sipas ekspertëve, ndryshimi i këtyre faktorëve mund të përgjysmojë rastet dhe të ulë ndjeshëm edhe sëmundjet e zemrës, diabetin dhe kancerin.
Thirrja për masa më të ashpra vjen në një kohë kur organizata shëndetësore dhe ekonomike po kërkojnë qasje të ngjashme me luftën kundër duhanit, duke synuar atë që quhet “përcaktuesit komercialë të shëndetit”.
Industria e alkoolit ka reaguar duke argumentuar se zgjidhja duhet të fokusohet te konsumimi i moderuar dhe ndërhyrjet për personat që pinë shumë, duke paralajmëruar kundër penalizimit të konsumatorëve të përgjithshëm.



