Prokuroria polake ka hapur një hetim për terrorizëm pas sulmit me armë zjarri në sheshin kryesor të Krakovit, ku humbën jetën gjashtë persona dhe u plagosën 17 të tjerë. Autoritetet dyshojnë se 24-vjeçari që kreu sulmin ishte i frymëzuar nga ideologjitë e ekstremit të djathtë.
Sipas mediave te huaja, ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së shtunës, kur autori, një shtetas polak, hyri me automjet në sheshin e mbushur me turistë në qendrën historike të qytetit. I veshur me uniformë të stilit ushtarak dhe jelek antiplumb, ai nisi të qëllonte në mënyrë të rastësishme ndaj njerëzve, ndërsa lëvizte me shpejtësi nëpër shesh.
6 viktimat janë katër gra dhe dy burra. Mes tyre ndodhet edhe një shtetas britanik, ndërsa tre viktima të tjera janë gra polake. Identiteti i dy personave të mbetur ende nuk është bërë publik.
Nga 17 të plagosurit, pesë janë shtetas të huaj nga Britania e Madhe, Austria, Gjermania, Portugalia dhe Rusia. Mes të lënduarve janë edhe dy efektivë policie, njëri prej të cilëve ndodhet në gjendje të rëndë.
Autori u ndalua pas një shkëmbimi zjarri me policinë, gjatë të cilit mbeti i plagosur. Ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe po mbahet nën ruajtje të rreptë në spital.
Një tjetër zhvillim tronditës u regjistrua pas sulmit. Policia konfirmoi se në banesën e 24-vjeçarit, në qytetin Ostrowiec Świętokrzyski, rreth 160 kilometra larg Krakovit, u gjetën të pajetë tre familjarët e tij: babai 53 vjeç, nëna 52 vjeçe dhe motra 21-vjeçare.
Prokuroria Kombëtare njoftoi nisjen e hetimeve për vrasjen e gjashtë personave me armë zjarri dhe tentativën e vrasjes së shumë të tjerëve, përfshirë efektivë policie. Ngjarja po trajtohet si vepër terroriste.
Ministri i Brendshëm, Marcin Kierwiński, deklaroi se i riu kishte shfaqur interes për ideologjitë e ekstremit të djathtë dhe mbante bindje radikale e ultranacionaliste.
Sulmi ka tronditur vendin, i cili deri më tani konsiderohej ndër shtetet më të sigurta të Europës. Ngjarja ka rikthyer shqetësimet për përhapjen e ekstremizmit, pas disa episodeve me thika në shkolla gjatë muajit tetor, ku humbi jetën një grua dhe që, sipas autoriteteve, kishin lidhje me përmbajtje ekstremiste në internet.



